Rrëfimi i Iliranit: “Si u gjobita dhe më sekuestruan karrocën sepse po mblidhja mbetje në kazanë”
Personat që detyrohen të mbledhin mbetjeve të riciklueshme për të siguruar jetesën duhet të përballen çdo ditë me frikën e sekuestrove dhe gjobave të policisë bashkiake.
Ilirian Heshta 51 vjeçar i komunitetit Rom rrëfen për Gazetën Standard historinë e tij. Ai tregon arsyet që e kanë detyruar të mbledhë mbetje në kazanë dhe denoncon përplasjen me policinë bashkiake e cila i ka sekuestruar biçikletën dhe i ka vendosur një gjobë prej 50 mijë lekësh të vjetra.
Rrëfimi i plotë i Ilirian Heshtës për Stnandard:
Unë jam 51 vjeç dhe prej 20 vitesh kam jetuar në Shkozë, jeta më ka përplasur në shumë halle dhe probleme. Që në vogëli kam vuajtur dhe jam rritur pa një çati, pa shkollë dhe gjithë këto vite për mua kanë qenë tepër të vështirë. Jam rritur pa edukim dhe sot nuk kam formim shkollor e nuk di ku të drejtohem për padrejtësitë që më janë bërë.
Unë prej 10 vitesh kam punuar në Greqi si ndihmës-murator dhe më pas jam kthyer në Shqipëri për të krijuar një familje, kërkova të punësohesha në zanatin tim por ende sot nuk kam një përgjigje për ndonjë vend pune edhe në pastrimin e qytetit të paktën.
E pashë që nuk kisha çfarë të bëja dhe fillova dhe unë të mblidhja kanoçe, bidona për të siguruar bukën e përditshme, u zgjoja që në 5 të mëngjesit për të dalë dhe të kërkoja nëpër kazanë, gjeta shumë kanoçe dhe u gëzova por më vonë rreth orës 08:30 disa policë të Bashkisë më ndalojnë dhe më thonë që biçikletën duhet ta marrim ne dhe duhet të vejmë gjobë 5000 Lekë të reja, unë i pyeta përse, ata më thanë që nuk lejohet të mbledhësh kanoçe në kazanë, ju luta të më jepnin mallin që kisha mbledhur pasi me ato kisha siguruar bukën për sot.
Nuk mi dhanë dhe më ofenduan duke më diskriminuar. Që nga ajo ditë nuk kam shkuar të mbledh më kanoçe nga frika se do mi marrin këto të Bashkisë. Unë nuk po bëj ndonjë vjedhje apo vrasje nuk po i prish punë askujt. Thjesht po mundohem të nxjerr disa para vet pasi nuk kam më shpresa dhe besim së një ditë do më marrim në telefon për punë nga Zyra e Punës.
Gjobat dhe sekuestrot kanë rinisur, edhe pse u premtua zgjidhje:
Mbledhësit e mbetjeve të riciklueshme protestuan në dhjetor të vitit të kaluar, kohë kur u vu në zbatim nisma për ndalimin e mbledhjes në koshat e mbeturinave. Ata kërkuan që të lejohen ta vazhdojnë këtë aktivitet, derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme. Sipas “Standard” kjo kërkesë u pranua nga përfaqësuesit e Bashkisë në atë kohë. Por duket se së fundi ka rinisur aksioni i gjobave dhe sekuestrove edhe pse nuk është gjetur asnjë zgjidhje e qëndrueshme për rreth 8500 personat që jetojnë me këtë aktivitet.
/l.k./
Artikulli i plotë: http://www.standard.al/2017/07/10/mes-nevojes-per-kafshaten-e-dites-dhe-bashkise-qe-mbyll-edhe-koshat-e-plehrave/