Romet tek liqeni/ Reagon “Amnesty International”: Zgjidhja e përkohshme s’mund të jetë zgjidhje
“Amnesty International” jep alarmin se për vite të tëra autoritetet shqiptare kanë dështuar me premtimet e tyre kombëtare apo ndërkombëtare për strehimin dhe të drejtat e komunitetit Rom si dhe të gjitha komuniteteve të rrezikuara në Shqipëri.
Në një letër të nisur në adresë të Avokatit të Popullit drejtori për Europën dhe Azinë Qëndrore, Jezerca Tigani tha se zgjidhjet e përkohshme s’mund të jenë zgjidhje.
“Amnesty International i kërkon Ministrit të Zhvillimit Urban dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të ndalojnë dëbimin me forcë të 44 familjeve rome dhe egjiptiane (200 individë) nga autoritetet e Bashkisë Tiranë, dhe të garantojnë se në qoftë se një zhvendosje është e domosdoshme, të kryhet në mënyrë të ligjshme, dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.”
Organizata u kërkon autoriteteve t’u sigurojnë këtyre familjeve një zgjidhje të qëndrueshme strehimi, siç është propozuar nga Avokati i Popullit dhe tregon se ka patur shkelje të përsëritura të të drejtave të njeriut ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti.
“Nga kërkimet e Amnesty International rezulton se shumë prej tyre kanë qenë zhvendosur në mënyrë të përsëritur me forcë nga viti 2011 pa pasur kurrë mundësinë e një strehimi alternativ të përshtatshëm. Kjo është e papranueshme dhe ekspozon familjet egjiptiane dhe rome ndaj shkeljeve të përsëritura dhe të shumta të drejtave të njeriut. Personat në rrezik dëbimi duhet të konsultohen plotësisht dhe njoftohen për arsyet e dëbimit të tyre”, thuhet në letër.
Sipas përfaqësuesve të “Amnesty Intenational” në Shqipëri autoritetet po dhunojnë ligjet ndërkombëtare duke lënë pa strehë fëmijë e të rritur.
”35 familje rome kanë nevojë urgjente për një strehë. Një shkollë e mesme nuk është banesë e përshtatshme për ta dhe për më tepër nuk mund të shihet si formë kompensimi pas shkatërrimit të çadrave dhe humbjes së gjithçkaje ata kishin. Dhe sigurimi i tyre është detyrë e autoriteteve”.
/l.k/