Ballkani vijon të përdoret si një rrugë kalimi për refugjatët e lindjes që synojnë të emigrojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe në muajt e fundit, fluksi i tyre mbetet në rritje. Refugjatët nga Greqia, vendi i parë i pritjes për ta, po kalojnë përmes rrugëve alternative në shtetet e Ballkanit perëndimor drejt Evropës qendrore dhe perëndimore dhe gjatë kalimit dhe qëndrimit në këto shtete, ata raportojnë dhunë policore e arrestime arbitrare.
Në fillim të prillit, policia greke u detyrua të përdorë gaz lotsjellës në afërsi të Selanikut, për të penguar migrantët që të merrnin rrugën për në Maqedoninë e Veriut.
Pas disa lajmeve të rreme në rrjetet sociale, sipas të cilave qenë hapur kalimet kufitare për në Maqedoninë e Veriut dhe për në Shqipëri, rreth 2000 vetë u nisën në drejtim të Veriut të Greqisë.
Forcat policore arritën të kontrollojnë grupet e refugjatëve duke i mbajtur larg kufirit, por ekzistenca e lajmeve të rreme ku deklarohet nje hapje e kufinjve dhe rrugëve të kalimit, po shkakton shtimin e ardhjes së emigrantëve drejt Evropës përmes rrugëve ilegale.
Një pjesë e madhe e rreth 70.000 migrantëve, që qëndrojnë në Greqi dhe në Ballkanin Perëndimor, duan të vazhdojnë rrugën në drejtim të Veriut – dhe ndodhen para një sërë pengesash, raporton DW. Maqedonia e Veriut dhe Hungaria ngritën para pak vitesh gardhe me tela me gjemba në kufijtë jugorë të vendit. Bullgaria njihet për mënyrën e ashpër të veprimit ndaj migrantëve. Kjo bëri që të krijohej një itinerar alternativ ballkanik.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin të Kombeve të Bashkuara (IOM), në Greqi momentalisht qëndrojnë rreth 60.000 migrantë, të cilët presin të kalojnë në shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Ata rrinë të strehuar në banesa ose në kampe refugjatësh.
34.000 migrantë arritën sipas organizatës së mbrojtjes së kufirit të BE Frontex në Greqi në 2018-ën, përmes Mesdheut Lindor. 5.600 janë sipas IOM këtë vit. Në vitin 2018 në rrugë e sipër vdiqën 174 vetë. Edhe këtë vit ka pasur të paktën një dyzinë të vdekur.
Shqipëria
Në rrugën nga Greqia për në Bosnjë ndodhet Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Evropës, shkruan Deutsche Welle. Çdo vit janë më shumë se 20.000 shqiptarë që paraqesin kërkesa për azil në BE. Që kur është ngritur itinerari alternativ, policia shqiptare kap rregullisht shumë më tepër migrantë pa dokumente. Në vitin 2018, sipas IOM ishin 3.400 vetë ilegalë të ndaluar nga autoritetet, në krahasim me rreth 750 vetë në vitin 2017.
Raporte të mediave, sipas të cilave në Shqipëri do të ngrihet një kamp për pranimin e migrantëve të shpëtuar në Mesdhe, nuk u konfirmuan. Në vend të kësaj, Shqipëria ratifikoi në fillim të vitit një marrëveshje me Organizatën e Mbrojtjes së Kufirit të BE, Frontex, e cila do të ndihmojë që të ndalohen në kufirin shqiptaro-grek migrantë pa leje hyrjeje. Një vendim i ngjashëm është marrë edhe midis Frontexit dhe Malit të Zi.
Problematika situata paraqitet dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku mijëra emigrantë presin të kalojnë në territorin e BE drejt Kroacisë. Sipas IOM rreth 4000 emigrantë ilegalë ndodhen në Bosnjë. Kjo konfirmon që itinerari i refugjatëve ka ndryshuar në drejtim të Veriut.
Qeveria e Bosnjës pret një rritje të mëtejshme të numrit të refugjatëve. Vitin e kaluar BE i vuri në dispozicion Bosnjës rreth nëntë milionë euro për strehimin e refugjatëve./k.j