Rezultatet e sondazhit: Kë korruptojnë më shumë shqiptarët?
Rezultatet e sondazhit: Kë korruptojnë më shumë shqiptarët?
Ky sondazh është zhvilluar në kuadër të projektit “Dhashë Rryshfet”. Ndryshe nga sondazhet e deritanishme, nuk ka për qëllim të shohë perceptimin e qytetarëve për korrupsionin, por mat dhe analizon rastet konkrete kur qytetarëve iu është dashur të japin rryshfet në këmbim të një shërbimi.
Ky projekt është nismë e organizatës për të drejtat e njeriut, Pro LGBT. Arsyeja pse një grupim aktivistësh për të drejtat e njeriut angazhohet në një projekt kundër korrupsionit, ka të bëjë me faktin se ne jemi të gjithë qytetarët e këtij vendi, viktima të korrupsionit dhe pasojave të lidhura me të. “Dhashë Rryshfet” synon jo vetëm të ofrojë një platformë të sigurt dhe profesionale në lidhje me denoncimin e rasteve të korrupsionit, por mbi të gjitha synon edukimin e brezit të ri mbi nevojën e të qënit aktivë në luftën ndaj korrupsionit.
Sondimi i opinionit publik në lidhje me çështje të ndryshme të korrupsionit, ka nisur të zhvillohet në terren gjatë 3 muajve të fundit (nëntor, dhjetor, janar). Deri në fund të muajit maj 2016, do të sondohen të paktën 300 kampionë të përzgjedhur në mënyrë rastësore, ballë për ballë. Ndërkohë, nisur nga fundi i muajit janar, sondazhi është i aksesueshëm online në faqjen dhasherryshfet.al, duke siguruar kështu të dhëna që mund të ndryshojnë e të rifreskohen.
Kjo nismë është pjesë e projektit të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Rezultatet e deritanishme nga sondimi i 120 qytetarëve në qytetet Tiranë, Durrës, Sarandë, Fier dhe Elbasan, janë si më poshtë:
- Pyetjes: “A ju është dashur ndonjëherë të korruptoni dikë me qëllim marrjen e një shërbimi?” pjesëmarrësit në këtë pyetësor u përgjigjën:
– 70.9 % PO
– 29.1 % JO
- Për pyetjen: “Në cilin shërbim apo fushë ju është dashur të jepni rryshfet?”, ku qytetarët mund të zgjidhnin më shumë se një fushë, u përgjigjën:
– 70.5 % në Shëndetësi
– 21.7 % në Administratë Publike
– 20.5 % në Polici
– 15.3 % në Arsim
– 8.97 % në Shërbim privat
– 8.97 % në Drejtësi
– 2.56 % në fusha të tjera
- Duke qenë pyetsor me publik të rastësishëm, një çështje që na u duk me vlerë për ta sonduar ishte: “A ju ka ndodhur ndonjëherë që t’ju jetë ofruar rryshfet në këmbim të një shërbimi?”. Kësaj pyetjeje iu përgjigjën:
– 23.8 % PO
– 76.2 % JO
- Kohët e fundit, beteja ndaj korrupsionit është zhvendosur në portale online apo aplikacione ndaj, duke dashur të kuptojmë se sa familjarë janë qytetarët shqiptarë në lidhje me këto mekanizma të denoncimit të korrupsionit, i pyetëm pjesëmarrësit në sondazh: “A jeni në dijeni të ndonjë portali online ku mund të raportoni raste të korrupsionit?”. Ata u përgjigjën:
– 58.1 % PO
– 41.9 % JO
- Më tej, pyetëm: “A keni denoncuar/raportuar ndonjëherë raste të korrupsionit në të cilat ju keni qenë viktimë ose dëshmitarë?”. Përgjigjet ishin:
– 14 % PO
– 86 % JO
- “Nëse po, në çfarë strukture anti-korrupsion kanë denoncuar?”
– 57.1 % pranë institucionit ku ka ndodhur korrupsioni
– 28.5 % në portale online
– 7.1 % pranë institucioneve të drejtësisë
– 7.1 % në struktura të tjera
- Duke dashur të kuptojmë efikasitetin e strukturave anti-korrupsion, i pyetëm personat që ishin përgjigjur se kanë denoncuar të paktën një herë një rast korrupsioni: “A është marrë parasysh denoncimi juaj në këto raste?”. Nga këta:
– 28.6 % u përgjigjën PO
– 71.4 % u përgjigjën JO
- Shumica dërrmuese që nuk e ka raportuar korrupsionin, iu përgjigjën pyetjes “Nëse keni qenë dëshmitarë të një korrupsioni por nuk e keni denoncuar, për çfarë arsye nuk e keni bërë?” për këto arsye:
– 53.4 % u përgjigjën: “Nuk besoj te asnjë strukturë anti-korrupsioni në Shqipëri”
– 30.2 % u përgjigjën: “Nuk kam dashur të ekspozohem”
– 9.3 % u pwrgjigjwn: “Për arsye të tjera”
– 8.1 % u përgjigjën: “Besoj se korrupsioni është i nevojshëm”
- Në përfundim pyetëm: “Cili nga institucionet, organizmat apo trupa të tjerë të pavarur besoni se kanë më shumë vullnet për të luftuar korrupsionin?”. Përgjigjet ishin këto:
– 46.3 % Media
– 24.5 % Organizmat e huaja (përfshirë ambasadat)
– 20.9 % Organizata të shoqërisë civile
– 10 % Portalet Online
– 7.27 % Policia
– 3.6 % Qeveria
– 3.6 % Opozita
– 4.54 % Drejtësia
/k.p./e.t/