Sektori minerar është një ndër sektorët që provon problematikat më të mëdha në vend, jo vetëm sa i përket vështirësisë, mungesës së sigurisë në punë, por edhe në lidhje me organizimin punëtor.
Miniera e Bulqizës është një ndër më të pasurat në rajon, por historikisht ka rënë pre e aferave korruptive të politikave okulte dhe përfitimeve të ngushta pushtetare, privatizimeve dhe koncesioneve. Duke luajtur kësisoj fijet midis pushtetit, pronarëve dhe privatëve, punëtorët e minierave e kanë pasur të vështirë organizimin mes vete, ngritjen dhe zgjidhjen e problemeve të të drejtave në punë, si çështjet e sigurisë të cilat janë ato më të vështirat, deri te paga, apo represioni i ushtruar së lartmi vazhdimisht. Kështu dhe marrëdhëniet me sindikatën, kanë qenë të përvijuara brenda linjave të mësipërme, duke bërë që punëtorët ta kenë të vështirë adresimin e të drejtave të tyre dhe avancimin në organizim, pasi sindikata reshti së qeni përfaqësuese e punëtorëve.
Të pakënaqur nga mospërfaqësimi sindikal, javët e fundit mësuam se një sindikatë e re u themelua në mesin e minatorëve të Bulqizës, e cila kaloi një sërë peripecish e zvarritjesh burokratike deri në njohjen zyrtare të statusit të sindikatës së quajtur “Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës“.
Më 17 nëntor, ditën e diel në Bulqizë u bë shpallja publike e kësaj sindikate, shoqëruar me një tubim të madh në sheshin e qytetit të Bulqizës. Manifestimit të minatorëve, iu bashkuan dhjetra aktvistë të Organizatës Politike nga Tirana, të cilët ndihmuan minatorët dhe në organizimin e aktivitetit.
Sheshi u mbush me dhjetëra minatorë aktualë dhe pensionistë, sindikalistë të anëtarësuar dhe qytetarë të interesuar për sindikatën e re dhe të pavarur të minatorëve. Lajmi u prit me entuziazëm te të pranishmit, ku në një tavolinë ndaj shkallëve të sheshit qytetas u firmosën dhjetra formularë anëtarësimi nga punëtorët e minierave. Fjalimi i kryetarit të sindikatës Elton Debreshi, i cili u zotua përpara të gjithëve për detyrën e vështirë dhe pasionin e ndershmërinë për ta çuar përpara, ndezi duartrokitje dhe brohorima mbështetëse nga të pranishmit. Gjithaq, pati fjalime të ndjera edhe nga minatorët e tjerë, sindikalistë dhe jo sindikalistë që nënvizuan rëndësinë madhore të këtij organizimi historik të pavarur të punëtorëve, duke i veshur shpresë dhe pritshmëri të larta aktiviteteve që do të ndërmerreshin nga vetë punëtorët. Avokatja Holta Ymeri, e cila ka punuar me përkushtim masimal deri në finalizimin e procedurave ligjore në njohjen e sindikatës, në fjalën e saj përshkroi jo vetëm odisenë ligjore, por edhe rëndësinë madhore të organizimit punëtor të pavarur dhe të strukturuar në zgjidhjen e problemeve reale në punë.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/11/75643609_108701760593771_3931717228600229888_n.jpg)
Përveç qytetarëve të Bulqizës, themelimin e sindikatës e përshëndetën dhe aktivistë të Organizatës Politike, që e cilësuan historike ditën e 17-nëntorit sindikalist të minatorëve bulqizakë. Ata theksuan ndër të tjera, se kjo sindikatë do të frymëzojë jo vetëm organizimin e sektorëve të tjerë në Bulqizë, por edhe punëtorët në të gjithë Shqipërinë. Foli edhe Albjoni, sindikalisti dhe minatori më i ri ndër pjesëmarrësit; vetëm 22-vjeç, i cili tregoi se kishte 4-vite duke punuar në nëntokë dhe se qysh prej atëherë kishte braktisur studimet, pasi duhet të ushqente familjen. “Ne nuk jemi njerëz të letrave, por të punës”- shtroi disa herë Albjoni gjatë fjalimit të artikuluar aq mirë dhe që ndezi zemrat e rrëmbushi sytë e të pranishmëve në manifestim. “… ëndërroj ama, që sa kohë të punoj në minierë, të fitojmë të drejtat tona dhe të organizohemi pa frikë, ndonëse dëshiroj me gjithë shpirt që një ditë t’u rikthehem studimeve dhe të nis shkollën e lartë”, vijoi Albjoni bisedën pas tubimit në shesh, si të kish’ lënë diçka përgjysmë nga fjala e thënë përpara shokëve minatorë.
“Vërtet që miniera e Bulqizës nxjerr të ardhura sa për të pasuruar të gjithë Shqipërinë, por në anën tjetër, as bulqizakët vetë nuk po ia shohin hajrin asaj të shkrete, sa duket sikur po prodhohet bukëpeshku dhe jo krom,” tha Sami Curri, i riu nga Bulqiza dhe me punë në Tiranë, i cili jo vetëm moderoi takimin, por edhe ka ndihmuar minatorët qysh prej fillimit në organizimin sindikal. “Por, siç e dëgjuat prej vetë sindikalistëve, që sot e tutje ju dhe vetëm ju do të jeni përgjegjësit e funksionimit të sindikatës, suksesit apo dështimit të saj, prandaj rroftë sindikata dhe minatorët!” mbylli fjalën e tij me entuziazëm Samiu, duke marrë duartrokitje të gjata nga minatorët.