Regjimi i vizave të Shqipërisë me Holandën

Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka nisur vlerësimin e regjimit pa viza të Shqipërisë, që mund të rezultojë në “ndërmarrjen disa hapave specifikë”, raporton Tanjug. Vendimi ka ardhur pas një kërkese zyrtare të Qeverisë së Holandës në 31 maj, për kthimin e regjimit të vizave për shqiptarët.
“Nëse është nevoja për veprime specifike, Komisioni do të miratojë një akt zbatimi në një hark kohor prej një muaji pas pranimit të kërkesës. Vlerësimi duhet të miratohet edhe nga Këshilli,” tha zëdhënësja e KE, Natasha Bertaud.
Sipas Tanjug, kjo nuk nënkupton rezultatin e procesit, duke patur parasysh se nuk merret aq lehtë një vendim për pezullimin e regjimit të vizave dhe se me siguri vendimit do t’i paraprijë një analizë e hollësishme.
Të premten e kaluar, 105 deputetë holandezë nga pesë partitë kryesore politike – VVD, CDA, PVV, SP dhe CU – nga 150 në total, votuan propozimin e rivendosjes së vizave, raporton Tirana Times.
“Pas shumë diskutimeve, është theksuar se: ka pasur një rritje të konsiderueshme të kriminalitetit nga mafia shqiptare, organizatat e të cilëve përdorin regjimin pa viza për të lëvizur lirisht në të gjithë Evropën dhe për të zgjeruar kontrabandën e tyre, kërkojmë nga qeveria që t’i paraqesë Komisionit Evropian që të fillojë urgjentisht procesin e ndalimit të udhëtimit pa viza nga Shqipëria “, thuhet në vendimin e parlamentit holandez në 16 prill.
Të premten, qeveria holandeze paraqiti zyrtarisht tek komisioneri evropian Dimitris Avramopulos, kërkesën për të ndaluar shqiptarët që të lëvizin pa viza në Holandë. /