Refleksione

Situata aktuale e komunitetit LGBT+
Komuniteti LGBT+ së fundmi duket se po përballet me një kthim pas dhe kjo në rang botëror. Po çfarë nënkuptojmë kur themi “kthim pas”? E kemi fjalën për hapat mbrapa që komuniteti po bën. Rrugëtimi i komunitetit LGBT+ nuk ka qenë i lehtë, kjo vlen jo vetëm për vendin tonë por edhe për botën. Lajmet që lexojmë çdo ditë, informacionet që marrim tregojnë për situatën e komunitetit, situatë që po të ndalemi e ta analizojmë me vëmendje do të shohim se ka një regres ose siç dhe e quajtëm kthim pas. Sigurisht që ka patur ngritje, fitore të vogla por të rëndësishme, ligje që kanë kaluar në parlament duke sjellë ndryshim në të mirë të komunitetit.
Por siç e theksuam më lart, së fundmi, ujërat në të cilat po noton komuniteti LGBT+ janë të turbullta. Pyetja e natyrshme që mund ti lindi çdo lexuesi do të ishte: “Ku e shihni regresin, rënien apo hapat pas?”
Nga lajmet që vijnë çdo ditë nga bota ndjehet atmosfera e nderur dhe delikate në të cilën po gjallon komuniteti LGBT+. Po listojmë vetëm disa nga rastet:
– Rusia ndalon të flitet për LGBT+, ndalon librat;
– Italia bën hapa pas në njohjen e fëmijëve të çifteve LGBT+;
– Uganda voton ligjin dhe vendos 10 vite burg për ata që deklarojnë se i përkasin komunitetit LGBT+;
– Një rabin izraelit fajëson komunitetin LGBT+ për tërmetet në Turqi e Siri;
– Hungaria voton për ndalimin e librave, reklamave, filmave që trajtojnë temat LGBT+;
– Irani dënon me vdekje personat LGBT+;
– Shqipëria “proteston” për filmin e animuar me personazhe gej që u shfaq në kinematë tona;
Këto janë vetëm disa nga rastet ku qartazi shihen “sulmet” që po i bëhen komunitetit LGBT+. Format e përdorura janë nga më të ndryshmet.
– censura (ndalimi i librave, filmave, materialeve që trajtojnë temat LGBT+)
– ligjet anti LGBT+ (votimi i ligjeve, kalimi i tyre me shumicë votash në parlament)
– dënimet (burgosja, rrahja, përndjekja)
– fajësimi (drejtimi i gishtit për çdo herë kundrejt komunitetit edhe për situata që nuk kanë fare lidhje me të, mallkimet, linçimet)
Të gjitha këto forma në vetvete nuk tregojnë asgjë më shumë se sa rënien dhe degradimin e shoqërisë. Dhe natyrshëm lind sërish pyetja: “Përse po sulmohet kaq shumë komuniteti LGBT+?”
Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet: mungesa e tolerancës, frika, mosnjohja e vërtetë e realitetit LGBT+, ndikimi i fesë, që për hir të së vërtetës duhet thënë se kohët e fundit po sulmon ashpër komunitetin, etj. Të gjitha këto elemente çojnë në një pikë: homofobi. Homofobia nxit veprime dhe sjellje, të cilat jo vetëm penalizojnë, dëmtojnë dhe denigrojnë personat LGBT+ por nuk janë aspak të shëndetshme as për pjesën tjetër të shoqërisë. Duke i dhënë zë homofobisë shkatërrohet gjithkçka që është arritur deri më tani. Kur themi gjithçka nënkuptojmë punën e palodhur të aktivistëve, protestat, marshimet, marrjen e disa të drejtave, etj.
Si mund ta ndalojmë këtë regres i cili në dukje duket i paevitueshëm por në të vërtetë mund të menaxhohet.
E para, çdo komunitet, organizatë, grupim, ashtu si gjithçka tjetër ka uljet e ngritjet e veta. Ka periudha kur suksesi prek majat siç ka dhe momente dobësie apo rënieje. Situata do të ishte alarmante nëse çështja do të kishte sukses të menjëhershëm ose rënie të tillë.
E dyta, duke qenë një çështje delikate, me ndjeshmëri të lartë është e nevojshme që hapat të merren njëra pas tjetrës me durim dhe qëndrueshmëri. E rëndësishme është që organizatat të cilat luftojnë për të drejtat e komunitetit LGBT+ të japin maksimumin e tyre pa u lodhur, pa u dorëzuar.
Vetëm duke qëndruar të bashkuar, për të mirën e kauzës, për fitimin e të drejtave për komunitetin LGBT+, për respektimin e personave LGBT+, mund të përballohet çdo vështirësi dhe pengesë që del në rrugëtimin e komunitetit.