Reagimi i Vatikanit mbi rastet e abuzimeve seksuale nga priftërinjtë dhe zyrtarët e Kishës

Ditën e sotme u hapën punimet e një samiti të jashtëzakonshëm në Vatikan, mbi problemin e abuzimeve seksuale brenda Kishës Katolike. Samiti është thirrur nga Papa Francesku dhe në të marrin pjesë zyrtarët më të mëdhenj të kishës katolike në botë, zyrtarë të Vatikanit dhe drejtuesit e urdhërave të ndryshëm fetarë.
Viktima të dhunës seksuale kanë bërë thirrje për një transparencë më të madhe dhe rritjen e përgjegjësisë për rastet e ndodhura, si dhe ndjekjen e një politike me tolerancë zero në brendësi të Kishës.
Samiti po konsiderohet si një përpjekje e Vatikanit për të qetësuar 1.3 miliardë ndjekësit e fesë katolike dhe për të riorganizuar Kishën në përballjet e saj me skandale të përmasave të mëdha.
Drejtues katolikë dhe zyrtarë të famullive të ndryshme nëpër botë, janë akuzuar shpeshherë gjatë viteve të fundit për abuzime seksuale me të mitur, zyrtarë të tjerë të Kishës apo fshehje të këtyre skandaleve seksuale. Në vigjilje të samitit, 10 viktima të abuzimeve seksuale nga priftërinj katolikë, u thirrën në Vatikan për të ndarë eksperiencat e tyre dhe përshtypjet mbi mënyrat se si Kisha duhet të adresojë këto probleme në të ardhmen.
Skandali i fundit në Francë, ku zyrtari më i madh katolik në vend akuzohej për fshehjen e një skandali seksual me përmasa të mëdha, ringjalli dhe njëherë debatin mbi problematiken dhe këtë herë ky problem u adresua zyrtarisht dhe nga Papa dhe autoriteti më i madh kishtar në botë./k.j