Raporti i Departamentit Amerikan: Korrupsioni, problemi kryesor në Shqipëri
Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë publike raportin e vlerësimit të gjendjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Sipas raportit, problem numër një në Shqipëri mbetet korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë. Probleme të tjera të rëndësishme janë dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave.
Sistemi i drejtësisë vlerësohet si i korruptuar pasi pandëshkueshmëria e zyrtarëve që kanë kryer shkelje, është një prej problemeve të tjera me të cilat përballet Shqipëria. “Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale,” nënvizohet në raport.
Si probleme të tjera shqetësuese për Shqipërinë përmenden dhuna e ushtruar nga policia dhe keqtrajtimi i të dyshuarve gjatë periudhës kur ata mbahen të ndaluar dhe merren në pyetje. Nuk kanë qenë të pakëta rastet e denoncimit të dhunës së ushtruar nga policia gjatë këtij viti. Mund të kujtojmë dhunimin e studentëve të lëvizjes “Për Universitetin”, rastin e transgjinores Anxhela por edhe dhunimin e një qytetari nga disa efektivë policie. Po ashtu raporti evidenton rastet e mbajtjes për një kohë të gjatë të të pandehurve në qendrat e ndalimit, pa u ngritur akuzat, si dhe kushtet jo normale nëpër burgje.
Keqtrajtimi i fëmijëve, martesat në moshë të vogël, fëmijët që jetojnë nëpër rrugë, në veçanti ata të komunitetit rom, janë të tjera probleme për Shqipërinë. Në raport theksohet gjithashtu se diskriminimi racor si dhe diskriminimi për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, vazhdojnë të jenë probleme madhore në vend.
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka reaguar ndaj raportit të DASH, duke e vlerësuar si një pasqyrim realist dhe korrekt të situatës së të drejtave të njeriut. /m.g./
Burimi: VOA