“Rama, Meta dhe Berisha” arrestojnë katër aktivistë në Tiranë
Katër aktivistë të Organizatës Politike u ndaluan nga policia e Tiranës gjatë një aksioni ku vizatuan një karikaturë në kujtim të 21 – janarit. Në karikaturën e vizatuar në rrugën “Myslym Shyri” duken Rama, Berisha e Meta me kallashnikovë në dorë.
Aktivistët Klodi Leka, Stavro Çina, Isa Myzyraj dhe Albina Ruko u mbajtën rreth 4 orë në ambjentet e Komisariatit numër 3 dhe u ndëshkuan me masë administrative prej 3 mijë lekësh nga Bashkia e Tiranës.
“Arsyeja e ndalimit ishte absurde, një prej efektivave të policisë na tha se sipas Kodit Penal në Shqipëri nuk lejohen karikaturat me fytyrat e politikanëve e na akuzoi se kemi prishur qetësinë publike dhe kemi dhunuar pronën publike e private. Këto akuza u hodhën poshtë nga një tjetër zyrtar i policisë, i cili na tha se Kodi Penal nuk i ndalon karikatura”, tha për Historia Ime, Isa Myzyraj një prej aktivistëe të ndaluar.
‘Sipas kryepolicit arrogant të stacionit policor “këtu është e ndaluar karikatura dhe grafiti”. Shpresoj të mos njoftohen për shkrimin e fundit në gazeten studentore ose me fletoret e poezise, se keq i kemi punet. Por më kot e kanë, nuk kanë mjaftueshëm pranga për të na burgosur. 21 janar ka çdo ditë.”, ka shkruar Klodi Leka.
I pyetur nga Historia Ime nëse do e paguajë gjobën prej 3 mijë lekësh Isa Myzyraj tha: “Në fakt kushtet ekonomike nuk ma mundesojnë që këtë gjobë ta paguaj, por meqënese ne paskemi “prishur qetesinë publike, dhe shkatërruar pronën publike” unë jam i gatshem ta paguaj atë gjobë qoftë edhe duke marrë lekë borxh vetëm kur Partia Demokratike të paguajë gjobën prej miliona lekësh të vendosur me të drejtë për prishje të qetësise publike.” /l.k./
FOTO TE GRAFITIT NE RRUGEN MYSLYM SHYRI