Rama falje qytetarëve për taksën e Rrugës së Kombit: “Duhet të bënim shpjegime”
Foto: Wikipedia
Pas protestave të shtunën e kaluar kundër pagesës së lëvizjes në Rrugën e Kombit, protestës së vazhdueshme qytetare në Drejtorinë e Policisë Tiranë kundër arrestimeve si dhe protestës së sotme nga opozita për mosbindje civile, kryeministri Rama është prononcuar në lidhje me problematikën e ditëve të fundit.
Kryeministri Rama u zotua të thotë ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit se nuk do të vendoset tarifë për Rrugën e Kombit pa u dakortësuar fillimisht me banorët e Kukësit për një zgjidhje të përbashkët. Kryeministri nuk u mjaftua vetëm me deklaratën e Kuvendit por vijoi më tej në zyrën e bashkëqeverisjes.
Nga zyra e bashkëqeverisjes, kryeministri Rama nisi së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknurin interpelancën me banorët e Kukësit, të cilëve iu ka kërkuar ndjesë për mungesën e komunikimit. Po ashtu kryeministri ka sqaruar se kur do të implementohet sistemi i pagesë në Rrugën e Kombit. Ai është shprehur se ky sistem do të nisi pas 60 ditësh, kohë kjo kur qeveria do të mundohet ta bëjë se më mirë këtë proces.
“Ne duhet të ishim shumë të vëmendshëm dhe të bënim shumë shpjegime. Sipas ekspertëve duhen 6 muaj për të vlerësuar fluksin e përdoruesve të shpeshtë. Jemi të qartë që kjo ka nevojë për një kohë dhe një shpjegim. 60 ditë kohë që ta bëjmë këtë sa më shpejt dhe sa më mirë. Ne nuk do ta rivendosim funksionimin e sistemit të pagesës përpara pa konkluduar formulën për gjithë zonën” shpjegoi kryeministri Rama gjatë interpelancës me banorët e Kukësit.
Pavarësisht deklaratave të kryeministrit, protestuesit dhe përfaqësues politikë nga krahu opozitar kanë premtuar të tjera protesta në ditët në vazhdim./k.m/