Qeveria i shpall të papunë, naftëtarët i rikthehen protestave
Naftëtarët e Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh dhe Rafinerisë së Fierit protestuan për të dytën ditë rresht përpara prefekturës së Fierit.
Pas largimit përfundimtar të grupit investitor IRTC Oil, Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi dy ditë më parë se qeveria po përshpejton procedurat për t’i dhënë pagesë papunësie naftëtarëve.
Por punonjësit e dy rafinerive e refuzojnë atë, duke thënë se ARMO është në gjendje pune dhe se nuk ka arsye që ata të dalin në asistencë.
Gjatë protestës së sotme naftëtarët bllokuan sërish bulevardin kryesor të qytetit të Fierit.
Ata kërkojnë që uzinat të rikthehen në punë dhe paralajmërojnë se do ditën e hënë do të marshojnë sërish në këmbë drejt Tiranës.
Kompania ARMO është rivënë në punë në Shtator të vitit 2016-të nga një firmë amerikane e regjistruar në ishujt britanikë Virxhin në bashkëpunim me një firmë shqiptare.
Investitori IRTC Oil premtoi se do të rikthejë shkëlqimin e dikurshëm të rafinerisë, por burime zyrtare thonë për TV Klan se deri në fund të vitit 2017-të borxhet në tatime e dogana vetëm gjatë një viti kanë arritur vlerën e 60 milionë dollarëve.
Gjendja në qytetin e Ballshit
Mbyllja e uzinës ka sjellë një situatë të rëndë në qytetin e Ballshit. Një pjesë e madhe e banorëve të cilët jetojnë vetëm në sajë të funksionimit të uzinës janë zhytur në varfëri, raporton RTSH.
Uzina, një nga krenaritë e industrisë socialiste, që në nëntor mbush 40 vjet nga fillimi i funksionimit, po shkon drejt mbylljes.
Kjo po sjell vështirësi të shumta për jetën e familjeve të qytetit të naftëtarëve. Banorët prej kohësh blejnë me lista gjithçka u nevojitet, pasi nuk janë paguar prej kohësh.
Shitësit thanë për RTSH se shuma e produkteve të shitura me listë arrin deri në 10 milion lekë të vjetra.