Qeveria blen dekodera me paratë e ndihmës sociale dhe arsimit pofesional
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për rishpërndarjen e fondeve të buxhetit të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë (MMSR). Rishpërndarja i shkurton fondet programeve të përfshirjes sociale, punësimit dhe arsimit profesional duke ja kaluar ato programit për blerjen e dekoderave televizivë të transmetimit dixhital.
Në një vendim të mëparshëm të qeverisë është parashikuar se 84 mijë familjet që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike do të pajisen me dekodera falas për të pasur akses në televizion pas procesit të dixhitalizimit. Por këto para nuk do të vijnë shtesë nga buxheti i shtetit, por do t’ju hiqen zërave të tjerë si punësimi, arsimi profesional dhe përfshirja sociale, të cilët shpesh janë shpallur si prioritete nga MMSR.
Si preken programet e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë nga blerja e dekoderave?
Katër programeve të MMSR u shkurtohen 180 milion lekë të reja, shumë që përkon me atë që qeveria ka parashikuar për këstin e dytë te dekoderave të programuar për vitin 2016.
Programit “Tregu i punës”, zëri “Transferta për buxhetet familjare dhe individët”, i pakësohet fondi prej 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekësh.
Po ashtu programit “Tregu i punës”, zëri “Mallra e shërbime të tjera”, i pakësohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh.
Gjithashtu një tjetër program që preket nga ky vendim është edhe ai “Arsimi i mesëm profesional”, të cilit i pakësohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh.
Por jo vetëm kaq por shkurtimet për blerje të dekoderave kanë prekur edhe ndihmën sociale që shpërndan qeveria.Sipas këtij vendi programit “Përfshirja sociale”, zëri “Mallra e shërbime të tjera”, i pakësohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh.
/l.k./