Qendra Europiane publikon “Guidën mbi të Drejtën e Azilit”
Prej fillimit të Pranverës Arabe dhe veçanërisht krizës në Siri, gjendja lidhur me emigrantët dhe refugjatët në kërkim të një jetë më të sigurt jashtë vendeve të tyre është përkeqësuar së tepërmi. Me miliona njerëz tashmë kanë kërkuar azil, në veçanti në Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian ku si portë hyrëse kanë shërbyer kryesisht vendet e Mesdheut.
Sipas të dhënave të UNHCR-së gjatë 2016 numri i azil kërkuesve, që kanë mbërritur në Evropë nga deti është 161,900, prej të cilëve 147,437 kanë hyrë në Greqi. Ndërkohë, 45% e këtyre azil kërkuesve kanë origjinë siriane, 24% afganë, 15% irakianë dhe pjesa tjetër nga vende të ndryshme.
Pesë vendet e BE-së me numrin më të lartë të kërkesave janë: Gjermania, Franca, Suedia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Së fundmi, ka pasur një fluks masiv të azilkërkuesve të cilët kanë përdorur si një urë kalimi tranzit vendet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, apo dhe raste të tilla ku ata kanë qëndruar në këto vende duke kërkuar azil.
Për më tepër, gjatë viteve 2014 dhe 2015 mijëra qytetarë të Ballkanit Perëndimor u larguan për të kërkuar azil në vendet BE-së, veçanërisht në Gjermani, me arsyetimin e gjendjes së mjeruar ekonomike. Kjo situatë po kërcënon të drejtën ndërkombëtare të refugjatëve, Sistemin e Përbashkët Evropian për Azilin, standardet e kërkuara nga KEDNJ dhe legjislacionet kombëtare të refugjatëve të disa vendeve. Në një kontekst më të gjerë rrezikohet së tepërmi rritja e ndjenjave të ksenofobisë dhe racizmit në të gjithë Evropën.
Gjendja aktuale për çështjet e azilit në Evropë kërkon vëmendjen dhe trajtimin në mënyrën e duhur për zgjidhjen e kësaj situate, ku përveç të tjerave kërkohet bashkëpunimi dhe shprehja e vullnetit të mirë të gjithë vendeve të kontinentit të vjetër.
Në kuadër të kësaj problematike është e domosdoshme dhe e nevojshme përmirësimi i njohurive lidhur me standardet e së drejtës ndërkombëtare për të drejtën e azilit, të cilat janë thelbësore për të pasur një adresim të saktë të situatës si dhe mirëfunksionimin e sistemeve legjislative dhe gjyqësore në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për këtë qëllim Qendra Europiane është duke zbatuar projektin “Standardet Europiane të së Drejtës së Azilit”, i cili është i ndërtuar në dy shtylla kryesore. Shtylla e parë e projektit ka të bëjë me hartimin dhe publikimin e broshurës “Guidë mbi të Drejtën e Azilit”. Ndërkohë, shtylla e dytë e tij është organizimi i tre trajnimeve ku prezantohet broshura dhe standardet e të drejtës së azilit në universitete të ndryshme të vendit, si edhe i një trajnimi nivelit të lartë në kuadër të Programit të Trajnimit Vazhdues për gjyqtarët e gjykatave administrative të vendit.
Nga seria e këtyre aktiviteteve janë zhvilluar tashmë trajnimet në Universitetin e Shkodrës dhe Korçës, ku u vërejt një interes mjaft i madh i studentëve pjesmarrë, të cilët vinin nga profile të ndryshme akademike.
Për të realizuar në mënyrë sa më të suksesshme këtë projekt Qendra ka angazhuar ekspert vendas dhe ndërkombëtarë ndër të cilët është kënaqësi të veçojmë Znj. Nuala Mole avokate e lartë në Londër e cila është ndër ekspertët më të mirë të fushës në nivel europian.
Përpos këtyrë aktiviteteve Qendra Europiane do të organizojë dhe trajnime të tjera me qëllim shpërndarjen e broshurën në sa më shumë grupe interesi.
*Ina Xhepa
Drejtore Ekzekutive
Qendra Europiane:
http://www.euro-centre.eu/kreu/
/l.k./