Punonjësit e hekurudhave protestojnë kundër koncesioneve
Qindra punonjës të hekurudhës shqiptare bllokuan për rreth një orë hyrjen e portit të Durrësit. Ata protestojnë kundër kushteve të vështira të punës dhe lënies në harresë të transportit hekurudhor.
Bllokimi i hyrjes së portit u bë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të kompanisë koncesionare që ka marrë portin e Durrësit, i cili ndalon hyrjen e trenave në ambientet e portit. Protestuesit kërkuan ndërhyrjen e qeverisë dhe autoriteteve për të anuluar këtë vendim që rrit kostot dhe vështirësitë për shkarkimin e mallrave.
Kreu i Sindikatës së Hekurudhave Shqiptare, Osman Meta tha se punëtorëve nuk u paguhen rrogat dhe sigurimet shoqërore prej 4 muajsh. Sindikalistët u shprehën se për shkak të koncesioneve, sistemit hekurudhor i është bllokuar çdo mundësi zhvillimi dhe burimi ekonomik.
“Hekurudha ka falimentuar, kërkojmë ringritjen. Jo korrupsionit në hekurudhë. Të mos hiqen specialistët e hekurudhës nga puna”, ka thënë një prej protestuesve.
/l.k./