Punëtorët e hekurudhave në grevë: “Jemi të pambrojtur e të pasiguruar, ministri fle gjumë”
Pas vitesh të tëra të lënë pas dore, duke nisur nga sot, punëtorët e hekurudhave kanë shpallur grevë. Sindikata e Punëtorëve të Transportit Hekurudhor i ka nisur një peticion ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, ku i ka paraqitur disa kërkesa.
Kush proteston?
Pas protestave të naftëtarëve të Ballshit, janë punonjësit e hekurudhave që janë futur në grevë. Shumica e tyre punojnë në hekurudhë prej më shumë se 25 vitesh dhe thonë se kjo është gjendja më e keqe që ka kaluar ndonjëherë hekurudha shqiptare.
Çfarë kërkojnë punëtorët?
Punonjësit e hekurudhave deklarojnë se paguhen me pagë minimale (22 mijë lekë të reja) dhe prej muajsh nuk iu paguhen
sigurimet shoqërore. Ata thonë gjithashtu se kushtet e punës janë të këqija dhe herë edhe të rrezikshme për jetën.
“Punojmë në 10 metra lartësi të pambrojtur dhe të pasiguruar. Ndodh që kur prishet vinçi duhet të ecim në 10 metra lartësi në një hapësirë të gjerë prej 50 cm, të gjitha këto pa asnjë lloj mbrojtjeje. Për të mos thënë që mungojnë edhe veglat bazë si pinca, kacavida, etj”, thotë njëri prej punëtorëve.
Përveç këtyre, në peticionin dërguar ministrit të Transporteve ata kërkojnë:
- Rritje të investimeve për transportin hekurudhor
- Heqja e akcizës së naftës për hekurudhën
- Heqja e taksës së qarkullimit
- Ndërhyrja e shtetit që import-eksporti i mineraleve të bëhet përmes hekurudhës
- Hapja e stacionit në Tiranë, etj. /m.g./
Video: Dëshmitë e disa prej punëtorëve të hekurudhës mbi kushtet e punës