Puna në industrinë e fasoneve, 18 shkelje të të drejtave të punëtorëve
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim ka publikuar një studim mbi kushtet e punës të grave dhe vajzave në vendin tonë, që prodhojnë këpucë apo veshje për marka të njohura botërore. Shqipëria është një vend i preferuar për kompanitë ndërkombëtare të tekstileve dhe këpucëve për shkak të pozicionit gjeografik dhe pagës minimale të ulët (19536 lekë neto, më e ulëta në rajon). Por intervistat e kryera me punonjëse të këtij sektori tregojnë një sërë shkeljesh të rënda të të drejtave.
Shkeljet kryesore të të drejtave të punëtorëve në fabrikat e tekstileve e këpucëve:
- Mos pagesa e pagës minimale brenda 40 orëve të rregullta të punës në javë. (Në 1 fabrikë vetëm 10% e punëtorëve marrin pagën minimale, ndërkohë që pjesa tjetër merr më pak; në një fabrikë tjetër asnjë prej punëtorëve të intervistuar nuk merrte pagën minimale).
- Burrat paguhen më tepër se gratë për të njëjtën punë dhe performancë – me justifikimin se ‘’janë më të fuqishëm’’.
- Penalizmi i punëtorëve përmes zbritjes së pagës (heqje e orës apo ditës së punës) kur produktet dëmtohen ose kur punëtori vjen me vonesë në punë.
- Mos pagesa e kontributeve shoqërore të detyrueshme.
- Mos pagesa e orëve shtesë ose normave premium.
- Të gjithë punëtorët raportuan se nuk bëjnë orë shtesë ndërkohë që raportojnë gjithashtu se e shtuna është ditë normale pune, që do të thotë se kjo nuk shihet si orë shtesë.
- Marrja e 3 deri në 15 ditë pushim vjetor, por jo 20 ditët që parashikohen me ligj.
- Leja vjetore shpesh përcaktohet nga drejtuesit dhe nuk paguhet.
- Ditët zyrtare të pushimit paguhen njësoj si ditët normale të punës.
- Leje pa pagesë për ditët e festave kombëtare.
- Asnjë shpjegim për mënyrën si llogariten pagat, veçanërisht orët shtesë.
- Kur nuk ka porosi punëtorët detyrohen të qendrojnë në shtëpi dhe pa të drejtë page.
- Punëtorët nuk kanë një kopje të kontratës së tyre dhe shpesh as nuk lejohen të lexojnë atë
- Ankesat ndëshkohen me heqje nga puna.
- Marrja e një dite pushim për arsye shëndetësore ose familjare është tejet e vështirë.
- Temperaturat ekstreme (ndonjëherë kondicionerët nuk ndizen fare).
- Ajri i ndotur prej substancave toksike.
- Nuk ofrohet ujë i pijshëm
Sektori informal i ekonomisë në Shqipëri llogaritet mesatarisht 36.2% i Prodhimit të Përgjithshëm Bruto gjatë periudhës 1996 – 2012 (INSTAT, 2013). Kjo përqindje është zakonisht më e lartë për industrinë e tekstileve e këpucëve se sa për ekonominë në tërësi. 50-70% i numrit total të punonjësve në këtë industri mendohet të jetë informal dmth pa të drejta ligjore dhe mbrojtjen përmes një kontrate pune.
Çështjet e listuara më lart, në lidhje me sektorin e veshjeve u diskutuan në këtë aktivitetin ku morën pjesë përfaqësues të institucionve shtetërore, private, sindikatave, shoqërisë civile e medias.
/l.k./