Protesta e banorëve të Astirit dhe mospërfillja e qytetarëve në vendimmarrjen lokale

Vazhdon prej disa ditësh protesta e banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, shtëpitë e të cilëve do të prishen për shkak të zgjerimit dhe rehabilitimit të plotë të Unazës së Re. Që prej ditës së shtunë, banorët po ngrihen në protesta të përditshme ndaj një vendimi të pakonsultuar më parë dhe të përsëritur nga Bashkia Tiranë.
Banorët kanë vendosur të bllokojnë Unazën e Re, në shenjë proteste, derisa dikush tu japë llogari mbi procesin e vlerësimit të pronës dhe investimit të tyre.
Situata është e përsëritur. Fillimisht u zhvendosën banorët përgjatë gjurmës së Bulevardit të ri, më pas banorët e zonës së Bregut të Lumit, pjesa më e madhe e tyre individë të komunitetit rom. Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme rradha ishte e banorëve të Shkozës, e sot pas një viti, para disa ditësh u njoftua plani i zgjerimit të Unazës së Re, i cili synon një zgjerim të rrugës e prishjen e qindra bizneseve dhe banesave. Në projektin zyrtar deklarohet prishja e rreth 300 objekteve, ndërsa banorët deklarojnë një numër më të madh objektesh të rrezikuara nga prishja, rreth 490.
Në kushte normale, vendimmarrje të tilla duhet të konsultohen fillimisht me publikun, përmes përfaqësuesve vendorë dhe administratorëve lokalë të zonës. Banorët akuzojnë vendimin si të padrejtë dhe janë gjetur të papërgatitur për tu zhvendosur apo për të transferuar aktivitetin e tyre tregtar diku tjetër. Disa prej tyre kanë kërcënuar dhe me përshkallëzim të protestave dhe vetëflijim.
Disa nga banorët i kanë banesat dhe bizneset të legalizuara ndërsa shumica i ka ato në proces. Projekti parashikon të lidhë shkollën Teknologjike me sheshin Shqiponja dhe përbëhet prej dy korsive vajtje-ardhje prej 11.5 metra. Parashikohet të jenë tre korsi aktive sipas standardeve europiane 2 nga 3.75 m njëra dhe një tjetër për emergjenca prej 3 metra./ k.j