Projektligji i ri në Nju Jork dekriminalizon punën e seksit
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/06/merlin_151919409_08b79d12-fd11-4b59-9753-0c152fc82ba8-jumbo-960x640.jpg)
Në 10 qershor, në Nju Jork u prezantua projektligji i parë për dekriminalizimin e punës së seksit në të gjithë shtetin.
Akti kundër dhunës dhe tregtisë së seksit, është një paketë legjislative që “dekriminalizon” tregtinë e seksit në Nju Jork, i cili nëse do të kalonte, do të ishte masa e parë për legalizimin e prostitucionit në të gjithë vendin.
“Puna seksuale është punë dhe nuk duhet të penalizohet nga shteti”, u shpreh senatorja Julia Salazar në një konferencë shtypi. “Politikat tona aktuale vetëm fuqizojnë trafikantët dhe të tjerë që përfitojnë nga mbajtja e punës së seksit në hije”, shtoi Salazar. “Shteti i Nju Jorkut duhet t’i dëgjojë punëtoret e seksit dhe t’i përshtatë reformat për garantimin e sigurisë së tyre, duke i fuqizuar më shumë në vendet e punës.
Sipas legjislacionit të ri, do të shfuqizohen ligjet që kriminalizojnë shit-blerjen e seksit me pëlqim midis dy të rriturve. Ligjet që mbrojnë viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, sulmet seksuale, ngacmimet dhe përdhunimet do të qëndrojnë në fuqi.
Projektligji do t’u japë punëtorëve të seksit dhe të mbijetuarve të trafikimit, mundësinë për të kërkuar shlyerjen e dosjeve penale të prostitucionit. Përveç kësaj, këto masa do të reduktonin gjuhën e diskriminimit gjinor të ligjeve kundër prostitucionit të mbetura ende në fuqi – të cilat përqendrohen kryesisht te gratë e varfra – pa përfshirë personat LGBTI, të cilët punojnë masivisht në punët e seksit.
Kate Zen, ish-punëtore seksi, foli për mënyrën sesi u kthye në punën e seksit për të paguar shpenzimet e kolegjit. Duke qenë e re në biznes, Zen tha, se ajo ishte mashtruar nga një person i cili kishte pozita shtetërore, ku ai e sulmoi dhe pastaj e vodhi atë. Zen u përpoq ta raportonte krimin në polici, por për shkak se ajo ishte e angazhuar në punë seksuale ilegale, ajo deklaroi se oficeri i kishte thënë “nuk dukesh si viktimë simpatike”.
“Unë nuk jam vetëm”, tha Zen. “Shumë punonjës seksi bien pre e njerëzve që vjedhin prej nesh dhe ushtrojnë dhunë ndaj nesh, sepse puna jonë ende e kriminalizuar e bën më të vështirë që ne të ndjekim procedurat e drejtësinë. Frika për t’u kriminalizuar, është një pengesë në marrjen e drejtësisë kundër trafikantëve dhe njerëzve të tjerë që na vjedhin dhe na dëmtojnë “.
“Unë po bëj thirrje për dekriminalizimin e punës seksuale, sepse kriminalizimi është shkaku rrënjësor i trafikimit. Kemi nevojë për të drejta, jo shpëtim, “shtoi ajo.
Bianey Garcia, afro-amerikane dhe transgjinore e padokumentuar, e cila dikur ishte një punëtore e seksit dhe e mbijetuar e trafikimit, tha se ajo dhe të tjerë si ajo, janë personat e duhur për të marrë vendime për mbrojtjen nga dhuna dhe shfrytëzimi dhe jo qeveria.
“Kjo ekonomi nuk punon për të gjithë njësoj. Ndonjëherë, puna e seksit është opsioni më i mirë për njerëz si unë. Kjo është zgjedhja ime, “tha ajo. “Kriminalizimi i klientëve tanë, strehimi dhe punëtorët e seksit me të cilët bashkëpunojmë për të mbajtur veten, do të thotë se na kanë marrë mjetet tona të vetme të mbijetesës”.
Këtu mund të lexoni projektligjin mbi “Ndalimin e dhunës dhe tregtisë së seksit.”
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/03/Liri-Kuçi.png)