Presidenti Trump shpërndan video anti-myslimane
Ditën e djeshme Presidenti Donald Trump ka ri-shpërndarë në Twitter tre video që nxisin urrejtjen ndaj myslimanëve nga profili i Jayda Fransen, lidere e lëvizjes ekstremiste të djathtë “Britain First” (Britania e Para).
Edhe më parë Trump ka mbajtur qëndrimin se emigracioni nga vendet me shumicë myslimane kërcënojnë sigurinë e Evropës dhe SHBA-së, por ri-postimi i videove që nxisin urrejtjen është cilësuar ofendues dhe ka marrë menjëherë reagimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministrja Theresa May tha se Trump ishte gabim në promovimin e grupit ekstremist “Britain First”. E po ashtu reaguan edhe shumë politikanë të tjerë, disa prej të cilëve propozuan edhe anulimin e vizitës së parashikuar të Trump në Britani.
Jeremy Corbyn, kreu i opozitës, i quajti postimet “të neveritshme, të rrezikshme dhe kërcënim për shoqërinë tonë”. E ndërsa ministri i kabineti, Sajid Javid tha se Presidenti “ka miratuar pikëpamjet e një organizate raciste që më urren mua dhe njerëz si unë”.
Ndërkohë vet Fransen, lidere e Birtania e Para ka shpërndarë gëzimin se videot ishin ndarë me pothuajse 44 milionë ndjekës të Presidentit në Twitter. Duke shtuar “Zoti të bekoftë Trump”.
Edhe sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, mbrojti postimet e Trump duke iu thënë gazetarëve se qëllimi ishte fillimi i bisedimeve për sigurinë e kufirit dhe emigracionit.
Në një nga videot e shpërndara shkruhet: “Emigranti mysliman rreh djalin holandez me paterica”. Për të cilën kanë reaguar edhe institucionet holandeze duke shpjeguar se incidenti ka ndodhur në maj dhe i dyshuari është i lindur dhe i rritur në Holandë.
Reagimit të Kryeministres britanike se Trump ishte gabim, ky i fundit iu përgjigj me një tjetër postim në Twitter – “Mos u fokuso tek unë, fokusohu tek terrorizmi radikal islamik shkatërrues që po ndodh brenda Mbretërisë së Bashkuar. Ne jemi shumë mirë”. /m.g/