Presidenti francez tërhiqet nga reformat “anti-terror”
Presidenti francez Fransua Hollande, është tërhequr nga reformat “anti-terror” të paraqitura direkt pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris.
Ndër të tjera, plani i Hollande parashikonte zhveshjen nga nënshtetësia franceze e personave të dënuar për vepra terroriste. Ky propozim u përplas me organizma ndërkombëtare dhe grupe të të drejtave të njeriut, të cilët ngritën alarmin mbi efektet negative që mund të kishin masat e ashpra të sigurisë.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, qeveritë nuk kanë të drejtë t’i heqin shtetësinë një qytetari.
Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në dhjetor të 1948 nga 48 vende anëtare, përmban 30 artikuj që synojnë të arrijnë një standard të përbashkët për të gjithë njerëzit dhe të gjitha kombet.
Artikulli 15 thotë:
- Çdo person ka të drejtën e një shtetësie
- Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij dhe as nga e drejta për ta ndërruar atë
Franca gjendet që prej 14 nëntorit nën gjendjen e jashtëzakonshme – që pritet të mbarojë në 26 maj. /m.g
Burimi: BBC