Presidenti francez Macron u bën thirrje qytetarëve të Evropës

Presidenti francez i cili parapëlqente të udhëtonte kudo nëpër botë dhe të ishte në qendër të vëmendjes së opinionit publik, ka thuajse tre muaj që nuk është larguar nga shteti i tij, shkruan The Economist.
Ai ka hequr çdo angazhim ndërkombëtar nga axhenda dhe në vend të kësaj, ka zgjedhur të organizojë një duzinë mbledhjesh në qytete të ndryshme të Francës, në të cilat do të zhvillojë edhe një “debat të madh kombëtar” mbi situatën e brendshme të vendit dhe protestat e jelekëverdhëve.

Faqet e para të gazetave me deklaratën e Macron si kryetitull
Macron njëkohësisht largoi disi fokusin nga problemet e brendshme të vendit dhe publikoi një deklaratë të guximshme për një “rilindje evropiane” e cila u shpërnda në 28 gazeta në të gjithë kontinentin dhe u përkthye në 22 gjuhë. Me këtë deklaratë, Emmanuel Macron ju drejtua “qytetarëve të Evropës”, në një apel të pazakontë ku foli për problemet me të cilat po përballen ata dhe bëri dhe një krahasim mes Brexit dhe të ardhmes së paqartë që mund të krijohet, nëse Bashkimi Evropian nuk do të jetë më projekti për të cilin shumica e shteteve me Francën dhe Gjermaninë në krye ende po luftojnë.
“Kush ua tha britanikëve të vërtetën për atë që do t’i priste pas Brexit?”, pyeti z. Macron, duke deklaruar se ndikimi dhe pasojat e Brexit janë një mësim për të gjithë ne”. Denis MacShane, një ish-ministër britanik i Europës, e përshkroi atë me admirim, duke e cilësuar si ndërhyrjen më të jashtëzakonshme në politikën europiane, e vetmja pas thirrjes së Winston Churchill drejtuar Europës për të formuar një bashkim pas Luftës së Dytë Botërore.
Përpjekja për të komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me të gjithë qytetarët anembanë botës, të sjell ndër mend edhe taktikën e përdorur nga z. Macron në fushatën zgjedhore të 2017. Deklarata e guximshme ishte edhe nisja jozyrtare e fushatës së tij për zgjedhjet e Parlamentit Europian që do të mbahen në maj të këtij viti.
Pro-europianizmi i Macron është një prej pasioneve të tij më të vjetra. Idetë e tij mbi skemat e mëdha të Europës, janë kundërshtuar shpesh nga partia populiste e udhëhequr nga Marine Le Pen, duke u cilësuar si një vizion post-nacionalist.
Presidenti francez propozon rishqyrtimin e zonës Schengen, duke kërkuar që çdo vend pjesëtar të ndajë edhe barrën e rëndë të azil-kërkuesve. Ai njëkohësisht propozon të reformojë politikën e konkurrencës dhe të tregtisë, duke paraqitur një BE thuajse në të njëjtat nivele me ato të Amerikës dhe Kinës. Ai propozon krijimin e një Këshilli të ri të Sigurisë Evropiane në të cilin do të përfshihet dhe Britania pas Brexit, një nivel të pagës minimale për çdo vend, një agjenci europiane për mbrojtjen e demokracisë (kundër kërcënimit të sulmeve të vazhdueshme kibernetike dhe manipulimeve të ndryshme) dhe shumë propozime të tjera.
Një tjetër mesazh kryesor i deklaratës së z. Macron është edhe ai për ruajtjen e “qytetërimit europian”. Vitin e kaluar, z. Macron i paralajmëroi “kundërshtarët” e nacionalizmit dhe deklaroi se nëse populistët e shihnin atë si kundërshtarin kryesor, “ata kishin më se të drejtë”.
Kjo ishte edhe arsyeja se përse kohët e fundit, ai u përfshi në një grindje me shtetin e Italisë. Por këtë herë, ai po përpiqet që të mos ndezë kundërshtimin e populistëve, por që të bëjë së bashku të gjithë ata që janë të shqetësuar për nacionalizimin, nga cilido shtet europian në të cilin mund të ndodhen.
Por sërish mbështetja për planin e Macron, disa javë pas lëshimit të deklaratës, duket ende e vakët. Shtete të udhëhequra nga parti populiste si Hungaria dhe Italia nuk bien aspak dakord me kushtin e pranimit të azilkërkuesve. Disa shtete të tjera kundërshtojnë propozimin e pagës minimale, si një mjet që do të dëmtonte rëndë ekonomitë kombëtare, edhe pse sipas Macron kjo pagë duhet vendosur sipas kushteve ekonomike të secilit shtet anëtar të BE. Edhe reagimi i Gjermanisë, një prej mbështetëseve më të forta të Francës, nuk ishte entuziast.
Evropa nuk është ende e mbushur me mbështetës në mbrojtje të rendit liberal. Problemet brenda vendit e kanë mbajtur Presidentin francez pak të distancuar në muajt e fundit. Por, deklarata e guximshme ishte një kujtesë për të gjithë se ai nuk i ka braktisur kurrë ambiciet për Evropën dhe as nuk i kanë shteruar idetë sesi mund t’i realizojë ato./k.j