Plakja e popullsisë rrit shpenzimet në arkën e pensioneve
Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve duke sjellë nevojë për fonde shtesë në arkën e pensioneve. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a, raporton Monitor.
Sipas të dhënave të ISSH, shpenzimet për pensionet janë rritur me 42% krahasuar me vitin 2010. Kjo vjen si pasojë e rritjes së numrit të personave që përfitojnë nga pensioni. Statistikat zyrtare të ISSH-së për vitin 2010 raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2016, u raportuan 611,544 të tillë
Plakja e popullsisë sot është një fenomen botëror dhe një nga arsyet kryesore të reformimeve të skemave të pensionit. Vende të ndryshme e kanë adresuar në mënyra të ndryshme problemin, që nga krijimi i incentivave për rritjen e lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës, rritjes së moshës së daljes në pension ku disa vende po e rrisin deri në 70 vjet.
/l.k./