Tensionet po rriten në kufirin boshnjako-kroat, ku shumë emigrantë po kërkojnë hyrjen në Kroaci dhe në territorin e Bashkimit Europian. Organizatat që po monitorojnë situatën dhe vullnetarët në terren, raportuan gjatë kësaj jave një shtim të përleshjeve me policinë, për shkak të uljes së temperaturave dhe përkeqësimit të mëtejshëm të kushteve të jetesës.
Mijëra emigrantë dhe refugjatë që janë larguar nga luftërat dhe varfëria në vendet e tyre, kryesisht vinë nga Afrika e Veriut dhe lindja e mesme, e prej disa javësh janë vendosur pranë kufirit me Kroacinë, duke shpresuar të kalojnë sa më shpejtë për në shtetet e tjera të BE.
Disa njerëz u plagosën të mërkurën gjatë përleshjeve me policinë kroate, dhe qindra emigrantë akuzojnë autoritetet policore për rrahjen e tyre dhe shkatërrimin e telefonave e sendeve personale.
Ndërkohë, Mjekët pa Kufij paralajmëruan se “ndërsa temperaturat bien, situata pritet të bëhet më e vështirë dhe tensionet po rriten”./ k.j
Burimi: Euronews