Përdorimi i burimeve shtetërore në aktivitete politike, shkelje e ligjit pa nisur ende fushata elektorale

Ditën e shtunë zhvilloi në Tiranë punimet Kongresi i Partisë Socialiste ku u prezantuan kandidaturat për zgjedhjet e ardhshme lokale të 30 qershorit. Në përmbyllje të punimeve të Kongresit, u zhvillua dhe një takim elektoral me qytetarët e Tiranës, në një periudhë kur fushata elektorale ende nuk ka nisur zyrtarisht.
Sipas një përllogaritjeje të shpenzimeve prej Exit News, mendohet se totali i shpenzimeve për aktivitetet e ditës së shtunë kap shifrën e 500.000 eurove, duke ngjallur dyshime se kostot e aktivitetit po përballohet ose nga burime jo ligjore ose do të kompensohet me favore kontratash publike.
Ndërkohë që në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale, përdorimi i burimeve shtetërore e publike në funksion të fushatës elektorale, mbetet një ndër rekomandimet kryesore për cilësinë e zgjedhjeve në vendin tonë dhe ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale, janë raportuar një numër i madh shkeljesh të ligjit nga ana e autoriteteve shtetërore qendrore dhe lokale, kryesisht institucionet qendrore me varësi politike dhe ato të bashkive.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Programit të USAID-it në Shqipëri (ACDC – Zhvillimi dhe Bashkëpunimi i Përshpejtuar i Shoqërisë Civile) është duke kryer monitorimin e përdorimit të mundshëm të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore 2019.
Nga monitorimi i deritanishëm janë raportuar raste të shumta të presionit shtetëror dhe detyrimit të punonjësve të administratës publike për të marrë pjesë në aktivitete partiake dhe elektorale. Rasti më i fundit ishte manifestimi politik dhe elektoral i PS në Tiranë, ku pati raporteve gjerësisht se punonjës të administratës dhe enteve publike u detyruan të marrin pjesë në aktivitetin kryesor.
Janë konstatuar njëkohësisht shkelje të përdorimit të burimeve shtetërore në funksion elektoral përmes ceremonive ne natyrë politike të donacioneve humanitare nga ente publike, siç është rasti i Bashkisë Durrës, ku në sistemin e dhurimeve u përfshinë edhe OSHEE dhe ente të tjera publike.
Janë konstatuar edhe raste kur bashkia ka përdorur mjediset e saj, kapacitetet njerëzore dhe burimet e tjera në funksion të fushatës elektorale apo agjendës politike. Konstatime të tilla janë raportuar edhe në bashkinë Kamëz, ku ka pasur raste që takimet politike janë mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, apo gjatë protestave të opozitës është konstatuar mungesë e personelit në punë.
Konstatime të tjera përfshijnë identifikime të ceremonive zyrtare me parti politike apo organizim i ceremonive të sponsorizuara nga deputetë apo drejtues politikë lokalë, siç është rasti i bashkisë Vlorë; spote televizive në emër të bashkisë dhe me simbolin e bashkisë, por që krahas saj, shoqërohen edhe me simbolin politik të partisë drejtuese në bashki, siç është rasti i spotit të fundit elektoral të bashkisë Tiranë; raste kur deputetë dhe figura të tjera drejtuese partiake organizojnë dhe ndajnë dhurata, vlerësime mirënjohje të dhëna nga institucionet ekzekutive, leje legalizimi, pagesa shpërblimi për fëmijët në spitale deri edhe ndërtim banesash me investitorë të panjohur; raste të shumta kur nëpunës publikë me status civil jo vetëm marrin pjesë aktive në aktivitete elektorale, por edhe drejtojnë mbledhje të strukturave politike, kandidojnë për poste në parti politike apo mbajnë fjalime publike në aktivitete paraelektorale të partive, – praktikë që dukshëm shkel ligjin dhe mbetet një shqetësim i madh për nivelin e lartë të politizimit të administratës publike në nivelet e qeverisjes qendrore dhe sidomos asaj lokale.
Secili prej këtyre akteve përbën shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe në raste të caktuara, përbëjnë edhe indicie për hetim nga ana e organeve ligj-zbatuese. Partitë politike kanë detyrimin të respektojnë legjislacionin zgjedhor dhe institucionet publike, të emëruara apo të zgjedhura kanë detyrimin të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin.
Njëkohësisht ISP apelon Këshillin e Ministrave, që në përgjigje të rekomandimit nr.3 të Misionit të ODIHR/OSBE 2017, sipas të cilit “qeveria duhet të analizojë efektshmërinë e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit, ajo duhet të marrë në konsideratë ngritjen e një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes në periudhën para dhe pas-zgjedhore.
Po ashtu, në zbatim të nenit 9 të Kushtetutës, partitë politike kanë detyrimin që “burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike”, parim i cili nuk është zbatuar asnjëherë dhe që kërkon detyrimisht të jetë prioritet thelbësor për partitë dhe institucionet. KQZ mund e duhet të bëjë akoma më shumë për jetësimin e këtij parimi.
Zgjedhjet e 30 Qershorit priten të paraprihen nga një vendim i Komisionit Evropian për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në takimet paraprake në Parlamentin Evropian, theksi kryesor vendoset te zbatueshmëria e ligjit, si pengesa kryesore për vendet tona për nisjen e procesit të negociatave.
Procesi i integrimit evropian mbetet tema kryesore e diskursit politik në Shqipëri, por sërish zbatimi i rekomandimeve dhe standardeve të këshilluara nga institucionet ndërkombëtare, vijon të injorohet dhe shkeljet priten të jenë të pranishme dhe në fushatën e ardhshme elektorale. / k.j
Burimi: Panorama