Për Universitetin: “Dhunë ndaj aktivistëve në koncertin për ditën e rinisë”
Një grup aktivistësh të lëvizjes “Për Universitetin” janë dhunuar mbrëmjen e së premtes në festën e organizuar nga Ministria e Arsimit me rastin e ditës së rinisë. Shkak u bë një banderolë ku shkruhej “Cirk pa bukë”, që aktivistët e hapën në këtë aktivitet.
Sipas reagimit të lëvizjes Për Universitetin, ky akt proteste kishte për qëllim ”demaskimin e propagandës së ministrisë që prej vitesh ka vënë përfund ëndrrat e mijëra studentëve për arsim publik cilësor. Në Ditën e Rinisë, rininë, të nëpërkëmbur brenda dhe jashtë universiteteve…”.
Në një video të publikuar në “Facebook” nga lëvizja Për Universitetin duket qartë se aktivistët janë dhunuar nga pjesëmarrësit në koncert. Në deklaratën e aktivistëve thuhet se personat që kanë ushtruar fillimisht dhunë janë prezantuar si punonjës të Shërbimit Kombëtar të Rinisë, e më pas i janë bashkuar edhe pjesëmarrës të tjerë.
Aktivistët kanë denoncuar indiferencën e policisë në vendngjarje të cilët sipas tyre “në vend që t’u vinin në ndihmë, i kanë dalë në krah kopesë së fresshistëve dhe gangsterëve duke ofenduar aktivistët tanë dhe tentuar fillimisht t’i ndalonin ata”.
Të rinjtë e lënduar i janë drejtuar komisariatit të policisë nr. 1 për të bërë kallëzim penal për dhunën e ushtruar ndaj tyre.
Video e publikuar nga lëvizja Për Universitetin: