Pazari i vjetër i Korçës, tregtarët protestojnë kundër vendimit që i detyron të tjetërsojnë bizneset e tyre
Një grup tregtarësh të pazarit të vjetër të Korçës janë mbledhur sot përpara Bashkisë për të kundërshtuar vendimin që i detyron të tjetërsojnë natyrën e bizneseve të tyre.
Pas përfundimit të rikonstruktimit të pazarit të vjetër, Bashkia Korçë publikoi një vendim që ndalon tregtinë ambulante, aktivitetet funerale, përpunimin e mishit dhe pikat e basteve në pazarin e vjetër.
Tregtarët e përshëndetën këtë vendim duke e cilësuar të drejtë ndalimin e këtyre aktiviteteve që nuk kanë lidhje me turizmin.
Por më datë 3 Prill 2016, Bashkia Korçë publikoi një tjetër vendim që i detyron tegtarët t’i kthejnë bizneset e tyre në bujtina,restorante, hotele dhe pika këmbimi valuator, duke i kërcënuar tregtarët me mbyllje të aktiviteteve në rast moszbatimi.
Këtu fillon kundërshtimi i tregtarëve të cilët thonë se prej 20 vitesh ushtrojne aktivitetin e tyre duke paguar çdo detyrim dhe është absurde t’i detyrosh të ndryshojnë bizneset e tyre. Ata denoncojnë mungesën e transparencës nga ana e Bashkisë për vendimin që prekin direkt jetën e qytetarëve.
Tregtarë mbyllin bizneset e tyre në shenjë proteste/ Foto: Nisma Thurje
“Bashkia na kërkon të largohemi nga dyqanet tona,ky vendim shkatërron familjet tona, shkatërron ekonominë tonë, ne që kemi paguar të gjitha detyrimet. Me kë biznes është konsultuar bashkia përpara se të marrë këtë vendim. Bashkia e ka për detyrë të bëjë transparencë për çdo plan, çdo vendim.” Ka thën gjatë protestës Albert Nasto, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.
/l.k./