Karvani i emigrantëve nga Amerika Qendrore po konsiderohet si një kërcënim për sigurinë kombëtare në SHBA dhe disa komentues konservatorë pohojnë se ato janë një kërcënim jo vetëm për sigurinë, por edhe për shëndetin e amerikanëve. Sërish pavarësisht retorikës së përdorur, ekspertët thonë se të vetmit persona që rrezikojnë shëndetin në këtë situatë krize, janë vetë emigrantët.
Një histori në revistën e krahut të djathtë The New American këtë fundjavë u titullua “A do vrasë karvani i emigrantëve fëmijët tanë?”. Të hënën, bashkëbiseduesja e programit “Fox & Friends”, Brian Kilmeade pohoi se refugjatët paraqesin një kërcënim për shkak se ato mbartin “sëmundje” dhe kjo është arsyeja kryesore pse nuk duhet të lejohen.
Të tilla argumente janë përdorur dhe nga rrymat anti-emigracion në Europë. Shumë nga forcat anti-emigracion në këto shtete, përdorin si argument vendin e origjinës së emigrantëve, se duke qenë vende të varfëra, janë dhe rrezik për shëndetin publik të popullsisë në vendet e zhvilluara. Gjithsesi këto argumente janë të pabazuara në fakte shkencore.
Situata e shëndetit publik në vendet e Amerikës
Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli botën të parrezikuar nga sëmundja e lisë në maj 1980, e konsideruar si arritja më e madhe në shëndetin publik ndërkombëtar.
Lebroza është jashtëzakonisht e rrallë dhe megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ka disa raste në Amerikë, 94% e tyre janë raportuar në Brazil. Migrantët kryesisht largohen nga Hondurasi, El Salvador dhe Guatemala, dhe ato vende kanë pasur një numër të vogël rastesh. Tuberkulozi nga ana tjetër është një problem në mbarë botën, ku Shtetet e Bashkuara panë 9,105 raste në vitin 2017.
Kushtet e vështira të emigrantëve
Departamentet federale dhe shëndetësore të shtetit në Meksikë po punojnë ngushtë me karvanin, siç është Kryqi i Kuq meksikan.
Përfaqësues së Kryqit të Kuq, të cilët kanë punuar me emigrantët kur ata arritën në qytetin e Tapachula, tha se grupi i tij ka trajtuar më shumë se 2,000 emigrantë për probleme shëndetësore. Lëndimet në këmbë nga udhëtimet e gjata janë më të zakonshme, tha ai, duke vlerësuar se Kryqi i Kuq ka trajtuar 1,300 deri në 1,400 njerëz për këto lëndime.
Problem gjithashtu është dehidratimi, ku janë trajtuar rreth 400 persona të dehidratuar. Disa janë trajtuar për probleme të stomakut, por këto raste kanë qenë minimale, tha një nga vullnetarët e Kryqit të Kuq. Të paktën tre gra kanë lindur gjatë lëvizjes së karvanit dhe ka shumë fëmijë të vegjël të kequshqyer e që kanë nevojë për mbështetje psikologjike.
Specialistët mendojnë se trauma është problemi më i madh me të cilën përballen fëmijët dhe të rinjtë, por rreziku i sëmundjeve të rralla që mund ti transmetohen popullsisë pritëse, mbetet inekzistent./ k.j
Burimi: cnn