Pasi avokati i merr 8.000 euro, përmbarimi dhe policia nxjerrin nga banesa djalin paraplegjik
Emisioni Investigativ “Fiks Fare” denoncoi pak ditë më parë një rast korrupsioni në drejtësi, ku paraqitet kalvari i gjatë i takimeve dhe parave të dhëna nën dorë nga qytetari Rexhep Toska për të mos u dëbuar nga shtëpia që ai ka blerë në vitin 2009 me kontratë sipërmarrje.
Drama e familjes Toska nuk mbyllet me 8.000 eurot e paguara avokatit me qëllim që të influenconte tek gjyqtarët në padinë e ngritur për këtë banesë. Në fund gjykata vendosi rrëzimin e kërkesëpadisë dhe i hapi rrugë përmbarimit për të nxjerrë nga shtëpia babain me djalin me aftësi të kufizuara.
Rexhep Toska u shoqërua në polici për kundërshtim të veprimeve përmbarimore. Më tej, pa pasur parasysh gjendjen e të sëmurit, Përmbarimi, i shoqëruar nga forca të policisë, e nxori jashtë djalin paraplegjik pa praninë e asnjë punonjësi social dhe e la atë në mes të katër rrugëve pa asnjë kujdestar.
Policia shoqëroi babain i cili është i vetmi kujdestar i djalit të sëmurë, dhe e la atë në mes të katër rrugëve, pavarësisht se premtuan se do të gjejnë një zgjidhje.
“Fiks Fare” raporton se djali, i cili është paraplegjik dhe me probleme shëndetësore, u la gjithë ditën pa ushqim, pa ujë dhe ajo që është më e rëndësishme, pa ilaçe, ndërkohë që kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga spitali.
Tri ambulanca u njoftuan nga policia dhe përmbaruesi, por ato nuk pranuan ta marrin të sëmurin, pasi sipas tyre, ai nuk ishte për urgjencë, por për kishte nevojë për punonjës të shërbimit social.
Në një moment dhe më të rëndë, policia tenton ta fusë të sëmurin në bagazhin e furgonit të policisë, pasi sipas tyre do e çonin në komisariat, një veprim i kundërligjshëm për këtë shtresë në nevojë.
Më pas, policia tentoi ta çojë të sëmurin në zyrën e përmbarimit, por mjekët thanë se nuk ishte kompetencë e tyre.
Ndërkohë gjatë gjithë këtyre tentativave, pothuajse nga paraditja deri në mbrëmje vonë, babai i të sëmurit u mbajt në furgon dhe nuk u la në dhomat e shoqërimit në komisariatin nr. 3.
Vetëm në mbrëmje, atij iu mor një deklaratë dhe u lirua, ndërkohë që përmbarimi dhe policia ishin larguar nga vendi i ekzekutimit të vendimit, duke e lënë vetëm personin e sëmurë.
Pas lirimit, Rexhep Toska u kthye tek i biri dhe bashkë thanë se do të kalonin natën nën qiell të hapur, në kushtet që askush nuk u jep të drejtë, pavarësisht se shtëpinë e kanë blerë me dokumente të rregullta, madje, kanë bërë dhe pagesat përkatëse.
/l.k./