Vetëm 5-ditë pas shpalljes së Sindikatës së Bashkuar të Minatorëve të Bulqizës, në 17 nëntor 2019 në sheshin qendror të qytetit, kyetari i sindikatës, Elton Debreshi u pushua nga puna prej kompanisë Albchrome. Debreshi u thirr në Tiranë, pas shpalljes publike të sindikatës dhe tubimit madhështor në sheshin e qytetit të Bulqizës. Nga intervistat me Eltonin, qartazi duket se kompania po përdor të gjitha format e presionit, për të instaluar frikën ndër radhët e sindikalistëve. Kështu, pasi kompania ka konsideruar se kryetari i sindikatës është i palëkundur në veprimtarinë e sindikatës, ai është pushuar nga puna ditën pas takimit të Tiranës.
” Asnjë nga pretendimet e ngritura gjatë takimit nuk përbën shkak për zgjidhjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës, as sipas Kodit të Punës dhe as sipas kontratës së punës. Kjo është veçanërisht e vërtetë duke pasur parasysh faktin se mungesat e pretenduara prej kësaj shoqërie janë të justifikuara me anë të raporteve të dorëzuara tek dega e Albchrome në Bulqizë” shkruhet në deklaratën e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Minatorët shprehen se pushimi i Eltonit nga puna është i padrejtë dhe se duke i thirrur personalisht e duke përdorur mjete presioni të ndryshme, kështu kërkojnë ta dëmtojnë dhe dobësojnë sindikatën. Mirëpo, ata shprehen të vendosur se do ta forcojnë sindikatën akoma më shumë, deri në arritjen e sigurisë, kushteve dhe pagave dinjitoze, dhe derisa punëtorëve dhe minierës së Bulqizës t’u rikthehet nderi i punës.
Prandaj, ditën e sotme minatorët e kanë nisur herët, por jo si çdo mëngjes tjetër, teksa i rikthehen skëterrit të punës së nëntokës. Ata janë organizuar për padrejtësinë e bërë ndaj Eltonit, duke listuar edhe kërkesa të tjera drejtuar kompanisë së Albchrome:
1. Të anulojë vendimin e saj të paligjshëm të zgjidhjes së kontratës së punës me Kryetarin e Sindikatës, Elton Debreshin.
2. Të realizojë rikthimin e menjëhershëm të tij në vendin e punës.
3. Të ndalojë sa më parë veprimtarinë e ndërhyrjes në aktivitetin e kësaj Sindikate, që po vazhdon edhe me thirrjen në takime të ngjashme në Tiranë të dy anëtarëve të Këshillit Sindikal, përkatësisht Z. Behar Gjimi dhe Z. Beqir Duriçi.
Në fund, ata kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me parashikimet ligjore deri në realizim të kërkesave.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/11/76661220_116495423147738_3934896552371290112_n.jpg)