Pas fjalimit historik të aktivistes transgjinore – deputetët armenë bëjnë thirrje që të digjet për së gjalli

Gruaja e parë transgjinore e regjistruar në Armeni, ka marrë kërcënime me vdekje pas një fjalimi historik në asamblenë kombëtare të vendit të saj.
Lilit Martirosyan u bë anëtarja e parë (LGBTI) të vendit të saj, që mori fjalën në podiumin parlamentar në një sesion për të drejtat e njeriut, për të folur kundër diskriminimit. Videoja e fjalimit të saj ka bërë xhiron e botës.
Martirosyan shprehu solidaritetin me komunitetin LGBTI, që është “torturuar, përdhunuar, rrëmbyer, i është nënshtruar dhunës fizike dhe përpjekjeve për vrasje, që është djegur, zhvatur, prerë, vrarë, emigruar dhe grabitur”. Ajo tha se njerëzit transgjinorë në Armeni i nënshtrohen “stigmës dhe diskriminimit në fushat sociale, mjekësore, ligjore, ekonomike dhe … janë lënë të papunë, të varfër dhe moralisht të braktisur”.
Ky fjalim, dy javë më parë, ka nxitur një reagim të ashpër në Armeni, ku homoseksualiteti është dekriminalizuar, por diskriminimi ndaj njerëzve LGBTI, vazhdon të ngelet prezent. Ka pasur protesta anti-LGBTI para asamblesë kombëtare dhe sulme verbale të disa parlamentarëve duke bërë thirrje që ajo të digjet për së gjalli.
Kryeministri dhe opozita janë përpjekur të fajësojnë njëri-tjetrin, që lejuan fjalimin e Martirosyan.
“Kjo ishte hera e parë në Armeni që një grua transgjinore foli nga një podium … kundër dhunës ndaj personave transgjinorë”, tha Martirosyan për Guardian. “Një njeri transfobik me një thikë në dorë, erdhi në asamblenë kombëtare, duke thënë se do të më vriste dhe se të tjerët si unë duhet të vriteshin gjithashtu … Kam marrë shumë mesazhe nëpërmjet Facebook dhe email nga njerëz të ndryshëm duke më thënë se do të gjejnë dhe do të më vrasin”.
Fjalimi i saj u dënua nga kryetari i sesionit parlamentar.
Vartan Ghukasian, nga partia opozitare BHK, u citua nga Radio “Free Europe”, duke thënë se “perversët” duhet të dëbohen nga Armenia. “Dërgojni ata në Hollandë,” tha Ghukasian. “Ne duam që femrat të jenë femra dhe meshkuj të jenë meshkuj. Nuk mund të ngatërrohen femrat me meshkujt. Është e turpshme. ”
Martirosyan tha se ajo dhe shumë prej kolegëve saj ishin në ballë të revolucionit të kadifenjtë, sepse “ne besonim se të drejtat tona do të duheshin mbrojtur në Armeninë e re”.
Sakaq, Hayk Hakobyan, themelues i Iniciativës së Armenisë Rainbow, ishte një nga aktivistët e LGBTI, i cili është sulmuar nga një grup vitin e kaluar. Disa të tjerë ngelën të plagosur nga një turmë që hodhi gurë. kundër tyre.
Hakobjan, prej atëherë është detyruar të largohet nga vendi dhe kërkoi azil në Holandë. Ai tha për “The Guardian” se shoqëria armene është armiqësore. “Unë u largova nga Armenia sepse isha sulmuar dhe dëbuar nga shtëpia ime. U largova nga Armenia sepse nuk ka drejtësi në vendin tim “.
Hakobjan tha se nuk kishte pasur zhvillim pozitiv për komunitetin LGBTI, qëkur Pashinyan erdhi në pushtet.
“Korrupsioni dhe vendimet arbitrare brenda sistemit juridik vazhdojnë të ekzistojnë,” tha ai. “Njerëzit që më sulmuan mua dhe miqtë e mi në gusht 2018, u falën për krimet e tyre dhe tani janë kriminelë të lirë që nxisin idenë e dhunës kundër njerëzve LGBTI. Kjo, përbën një precedent ku njerëzit e Armenisë mund të shohin se dhuna kundër LGBTI, mbetet e pandëshkuar “. /l.k/