Pacientët me kancer detyrohen të paguajnë miliona lekë për analiza dhe ilaçe kontrabandë
Të afërm të pacientëve me kancer, të mbështetur nga shoqata “Together for Life” u mblodhën për të ngritur zërin lidhur për problemet me të cilat përballen çdo ditë.
Edhe pse sipas ligjit ilaçet e pacientëve me kancer duhet të jenë falas, ata detyrohen t’i blejnë jashtë spialit duke paguar shuma të papërballueshme për xhepat e tyre.
Një tjetër problem shqetësues është se shumë prej analizave të nevojshme nuk kryhen në QSUT, dhe familjarët detyrohen t’i realizojnë në klinika private, të detyruar të paguajnë shuma që arrijnë në katër apo pesë milionë lekë të vjetra.
“Vajza ime është në fazën e katërt të kancerit dhe ndonëse mjekët janë përpjekur të bëjnë më të mirën, mungesa e ilaçeve nga spitali po pengon kurimin e saj,” tha për BIRN, Nusret Dervishi, babai i një pacienteje 22-vjeçare të sëmurë.
“Ciklin e dytë të mjekimit jemi detyruar ta blejmë vetë në mënyrë private dhe kostoja e tij prej 4 milionë e 200 mijë lekësh të vjetra ka rënduar mbi gjendjen e vështirë ekonomike të familjes sonë” shtoi ai.
Eglantina Bardhi, drejtoreshë e shoqatës “Together for Life”, tha për “Shëndet Plus”, se pacientëve me kancer po u shkelen të drejtat pasi nuk u sigurohen ilaçet, çka bën që trajtimi i tyre të mos jetë i plotë dhe jeta e tyre të jetë nën rrezik, edhe kur sëmundja është në stadet e para të saj.
“Ilaçet që ata blejnë në farmaci nuk përmbajnë pullën e kontrollit dhe kjo nënkupton se ato janë kontrabandë dhe të pasigurta për pacientët,” shtoi ajo.
/l.k./