Organizim, Solidaritet, Shpresë
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/06/65231142_2181010025357838_4780802851083386880_o-960x640.jpg)
Gresa Hasa
Ditën e djeshme, nën sloganin
“Kjo nuk është lufta jonë”, aktivistët e Organizatës Politike në
Tiranë, u mblodhën pranë sheshit “Partizani i Panjohur” në një manifestim
paqësor. Ky manifestim kishte për qëllim që për disa orë në mbrëmje, ta
shndërronte këtë hapësirë në qendër të qytetit në një agora ku gjithsekush të kishte
mundësinë të shprehej përsa i përket mobilizimit dhe aktivizmit qytetar të
pavarur për ditët në vijim dhe jo vetëm.
Të zhgënjyer, të lodhur dhe të revoltuar nga një sistem socio-ekonomik që u ka
lënë dorë të lirë partive të funksionojnë si banda kriminale duke shkatërruar
gjithçka në harkun kohor të 28 viteve, të rinjtë artikuluan nevojën e bashkëorganizimit në
lagje, në punë, në fakultete dhe kudo tjetër ku secili ka shtrirë aktivitetin e
tij, si formë rezistence kundër një pushteti dhune që punon për oligarkinë.
Gjatë një analize dhe kritike në
retrospektivë të jetës politike në Shqipëri, u soll në vëmendje fakti se
përpjekja emancipuese e vetë qytetarëve për një shoqëri ku mbizotëron barazia
dhe drejtësia sociale, mund të fitohet vetëm nëpërmjet unifikimit solidar së poshtmi, jo duke iu bashkuar në
mënyrë të dëshpërimtë njërës parti apo tjetrës të cilat, në fund të fundit, i
trajtojnë njerëzit thjesht si numra lehtësisht të zëvendësueshëm për pazare të
pista në një luftë për pushtet për hir të pushtetit.
Duke iu druajtur një përshkallëzimi të mundshëm të përplasjes mes një pjese të
qytetarëve dhe policisë ditën e diel, aktivistët bënë thirrje për ruajtje të
qetësisë, qëndrim së bashku dhe bojkot të zgjedhjeve, duke bërë përgjegjëse për
krizën aktuale Partinë Socialiste, Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste
Për Integrim. Ata arsyetuan se populli nuk mund të flijohet më në emër të
luftrave të rreme që partitë tona shpikin për t’ia hedhur paq ose për t’u
fuqizuar; mjaft jetë janë humbur gjatë këtyre tri dekadave në teatrin pervers
të politikës shqiptare…
Një ligjërim i tillë dhe ndërveprimi vital mes qytetarëve, sikurse banderolat që sa listonin perspektivën e përbashkët po aq i kujtonin pushtetit petkun kriminal që mban veshur (me rastin e Ardit Gjoklajt të vizualizuar qartë), shkaktuan parehatinë e shumëkujt në pushtet ose afër pushtetit, pasi dhjetra forca policore zbarkuan në vendngjarje duke ushtruar presion ndaj aktivistëve dhe intimiduar qytetarët. Jo vetëm kaq, por në kundërshtim me vetë ligjin[1] dhe një justifikim banal dhe absurd, Policia Bashkiake gjobiti me shumën e 20.000 lekëve (të reja) njërin nga aktivistët e Organizatës Politike. Sipas policisë, spangoja me të cilën qenë lidhur banderolat pas pemëve po shaktonte dëm ekologjik në qytet. Megjithatë, aktivistët nuk e pranuan gjobën dhe arsyetimin e dhënë duke u shprehur se do ta ankimonin atë menjëherë.
Pavarësisht këtij incidenti, ky takim publik ishte motivues dhe shpresëdhënës siç mund të jetë kësisoj vetëm zënia dorë për dore e njerëzve me guxim, inteligjencë dhe maturi, përkundrejt gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta, nxitur nga revolta që realiteti shqiptar shkakton tek pjesa dërrmuese e jona.
[1] Vendimi i Kёshillit Bashkiak nr. 156, neni 7, pika 4: “Në rastin kur subjekti kundërvajtjes rezulton, se është i padënuar administrativisht për shkeljen e konstatuar, atëherë struktura konstatuese vepron duke vendosur fillimisht dënimin administrativ “Paralajmërim me shkrim” (sic).