Ashtu siç kishin paralajmëruar javën e shkuar, punonjësit e një prej qendrave më të mëdha të kontaktit në vend, AlbaCall, ditën e sotme kanë përshkallëzuar veprimtarinë e tyre organizative. Nëpërmjet një banderole të hapur përballë zyrave të kompanisë AlbaCall, punonjësit kanë komunikuar kësisoj, se ata do të reduktojnë punën e tyre për aq sa mendojnë se u përgjigjet rrogës së pakët që do të marrin.
Banderola shkruan “Ne punojmë aq sa paguhemi” dhe operatorët kanë premtuar, se ky është veçse një ndër hapat që do t’u paraprijnë grevave apo përshkallëzimit të mëtejshëm të veprimtarisë së tyre organizative, deri në zgjidhjen permanente të problemit të tyre.
Njëri prej organizatorëve, njëkohësisht dhe punonjës i AlbaCall, u shpreh: “Ne e dimë që nuk jemi vetëm dhe shpresojmë që shembulli i organizimit të këtushëm të shërbejë si frymëzim edhe për sektorët e tjerë të kësaj industrie. Shkeljet e të drejtave të punëtorëve meritojnë vetëm një përgjigje, atë të organizimit kolektiv. Këtë ne po e mësojmë edhe falë mbështetjes që po marrim me anë të përfshirjes në sindikatën ‘Solidariteti’.”
Sakaq, në pritje të hapave të tjerë organizativë, duket se punëtorët janë të vendosur për t’i çuar përpara nismat e tyre deri në zgjidhjen e situatës së padrejtë të krijuar në vendin e punës së tyre.
Në linkun pasues, mund të informoheni më shumë për ngjarjen: https://historiaime.al/?p=67011
