Një vitrinë e re për idetë tuaja

“Historia Ime” lindi në vitin 2012 si një ditar elektronik ku persona të komunitetit LGBT mund të tregonin ngjarje nga përditshmëria e tyre. Atë vit portalet e lajmeve në shqip ishin shumë të pakta. Tek-tuk ndonjë faqe që synonte të sillte një gazetari alternative lançohej, por mbyllej aty për aty.
Gradualisht ideja e ditarit u zgjerua. Nevoja për të shkruar mbi çështje, ngjarje, histori dhe mendime që nuk zinin vend në median tradicionale, ishte më e madhe se dëshira për të ruajtur deri në fund idenë e një ditari. Kështu nisëm të tregonim për historitë e komunitetit LGBT dhe e vendosëm hapësirën tonë online në shërbim të grupeve të tjera të marxhinalizuara apo të lëna jashtë hapësirave mediatike, si komuniteti rom, gratë e zonave urbane, fëmijët, të moshuarit, etj.
Më tej shtuam një rubrikë të veçantë dedikuar mendimeve, ideve, politikave, lajmeve dhe ngjarjeve të lidhura me konceptin e feminizmit. Faqen e pasuruam me produkte multimediale. Për shembull, nisëm të prodhonim çdo dy javë nga një podcast e më pas të prodhonim video që tregonin në mënyrë më të koncentruar historitë tona. Faqja, nga një ditar u shndërrua në një platformë online ku të rinj të apasionuar pas gazetarisë, komunikimit dhe pas të drejtave të njeriut mund të eksperimentonin, të ideonin e të prodhonin produktet e tyre. Për këto të reja, shërbeu edhe organizimi i përvitshëm i një shkolle verore për multimedian, një mundësi kjo ende unike në Shqipëri për të rinj aktivë.
Por sot, rreth 6 vjet nga dita e lançimit të faqes, stafi i Historia Ime mendon se ka ardhur koha të përditësojë dizajnin e saj në mënyrë që idetë të përcillen më mirë, më bukur dhe në një mënyrë më moderne.
Angazhimi i Historia Ime për të ruajtur profilin e faqes si një hapësirë që nuk synon të shtojë klikimet me taktika të paetikshme, por të edukojë të rinjtë mbi çështje të të drejtave të njeriut, është një angazhim që nuk ndryshon. Eshtë një angazhim që Historia Ime e mbron me fanatizëm.
Portalet e lajmeve në shqip shtohen ditë pas dite, e bashkë me to edhe nevoja e këtyre portaleve për të shtuar klikimet, shpesh duke hequr dorë nga cilësia dhe etika. Ne premtojmë se nuk do të punojmë për të shtuar me pahir klikimet duke përdorur tituj, foto apo truke të dyshimta marketingu. Më shumë se klikimet na interesojnë idetë.
Ndaj, nëse doni të ndani me Historia Ime idetë tuaja, ju ftojmë ta bëni sa më parë. Duke shkruar në adresën [email protected]. Vetëm kështu mund ta mbajmë të motivuar komunitetin tonë, pavarësisht dallimeve që gjithsesi na bëjnë unikë.
Faleminderit