Zsolt Bayer i cili i quan hebrenjtë “jashtëqitje” ndërsa romët “kafshë”, ishte i ftuar special në konferencën e konservatorëve. Të njëjtën konferencë ku flitet për ide ekstreme të djathta, frekuenton edhe Akil Pano duke thyer një traditë shqiptare që e ndan fenë nga punët e shtetit
Zsolt Bayer, një racist i njohur hungarez, i cili i ka quajtur hebrenjtë “jashtëqitje që bien erë”, i ka quajtur romët “kafshë” dhe i ka fyer personat me ngjyrë me epitete raciste, ishte folës kryesor në një aktivitet të organizuar nga disa konservatorë amerikanë në Hungari, raporton një ndër gazetat më të mëdha britanike, The Guardian.
I ftuar special në këtë event ka qënë edhe Akil Pano nga Shqipëria, ndaj të cilit ka një vendim të Komisionerit Kundër Diskriminimit në nëntor të vitit 2021 që përcakton se gjuha e tij është një gjuhë që frymëzon urrejtjen.
“Të them të drejtën, ka qenë një konferencë me shumë vlerë, me tema të trajtuara me nivel të lartë komunikimi”, tha Pano në një prononcim për Syri TV, duke iu referuar konferencës së Conservative Political Action Conference (CPAC).
Konferenca në fjalë që u zhvillua në Budapest javën e kaluar, pati të ftuar special ditën e dytë të saj Bayer, i cili drejton një talk show televiziv në Hungari. Gjatë një proteste të Black Lives Matter në vitin 2020 Bayer shkroi në blogun e tij: “A është kjo e ardhmja? Të puthësh këpucët e zezakëve të ndyrë dhe t’u buzëqeshësh atyre?”
Në 2021 ai përdori frazën “jashtëqitje që qelben erë”, shkruan The Guardian, për t’iu referuar hebrenjve në Angli, ndërsa në 2013 ai shkroi se romët “janë kafshë dhe sillen si kafshë.”
Në të njëjtën konferencë mori pjesë edhe Jack Posobiec, një bloger i së djathtës ekstreme i cili ka fabrikuar një teori konspiracioni sipas të cilës demokratët, përfshirë Hillary dhe Bill Clinton janë pedofilë, kujton The Guardian.
Ditën e parë të konferencës e çeli Viktor Orban, i cili i ftoi konservatorët e djathtë që të zhvillojnë mediat e tyre pasi kjo është mënyra më e sigurt për të ardhur në pushtet. Sipas komentatorëve amerikanë arsyeja pse një pjesë e konservatorëve jo tradicionalë amerikanë janë të mahnitur nga Orban, lidhet me faktin që ai ka disa vjet që punon sistematikisht për të minuar vlerat demokratike. “Sa më shumë Orban minon vlerat demokratikë të vendit të vet, aq më shumë republikanët e lavdërojnë regjimin e tij,” tha për MSNBC Rachel Maddow.
Konferencën e përshëndeti edhe ish Presidenti Trump, edhe ky i akuzuar shpesh publikisht dhe nga mbesa e tij për qëndrime raciste dhe i shkarkuar dy herë nga Kongresi amerikan. Herën e dytë për akuzën e nxitjes së rebelimit ndaj institucioneve demokratike.
Për Akil Panon, pastorin nga Tirana i cili shpenzon kohë, energji edhe resurse të shumta për të promovuar figurën e vet në median shqiptare dhe në rrjetet sociale përmes taktikave që shpesh ngjajnë me mjete të promovimit të kultit të individit, kjo është hera e parë që asociohet me individë të njohur për bindjet e tyre raciste dhe të ekstremit të djathtë politik, duke thyer kështu një traditë të rëndësishme shqiptare të ndarjes së fesë nga punët e shtetit.
Përveç Panos, asnjë përfaqësues tjetër i zëshëm fetar në Shqipëri nuk është asocuar publikisht me ndonjë aktivitet të mirëfilltë politik, përsa kohë ka patur edhe rol aktiv fetar. Gjatë një interviste me gazetaren Armela Ferko në Syri TV, Pano tha gjithashtu se disa nga idetë konservatore që kishte dëgjuar në konferencë, janë ide që sipas tij “çdo qeveri majtas apo djathtas mund t’i implementojë.”/ Redaksia