Një ditë në kampin e rulotave
Pak metra larg stacionit të fundit të Tufinës, vazhdojnë punimet për kampin e rulotave që do të strehojë rreth 50 familje rome. Projekti është quajtur “Një strehë për fëmijët romë”, e kjo jo pa arsye, pasi nga 200 banorë që priten të strehoen aty, mbi 100 janë fëmijë.
Sapo mbërrin aty, fëmijët të rrethojnë të lumtur dhe të pyesin “Për çfaë ke ardhur ti këtu?”. Ne shkuam për të biseduar me aktivistët e Ecovolis, organizata që po merret me krijimin e këtij kampi dhe banorët që presin të futen në “shtëpitë” e tyre të reja. Siç mësuam më pas, prioritet i kampit janë familjet rome që mbetën pa shtëpi gjatë përmbytjeve tëk Bregu i Lumit.
Pak nga pak, kampi po merr formën e tij. Ndonëse deri tani janë strehuar vetëm katër familje, aktivistët punojnë çdo ditë për vendosjen e rulotave të tjera e rregullimin e ambientit. Në kamp u njohëm me Jetmirën, një nga aktivistet e Ecovolis. Ajo na tregoi se fillimisht ideja e rulotave ka ardhur për t’u përshtatur me stilin e jetesës në lëvizje të komunitetit rom. Jeta na shpjegoi gjithashtu se synimi i këtij kampi nuk është thjesht t’iu ofrojë familjeve rome një çati mbi kokë, por që kjo hapësirë të shërbejë si një qendër e dedikuar për edukimin dhe fuqizimin e komunitetit rom.
Ndonëse fillimisht kanë qenë skeptik për projektin e tyre, pasi shumë iu kanë premtuar dhe askush nuk ka bërë gjë për familjet rome, duket se tani ata kanë besim. 13 familje të pastreha jetojnë ende me çadra në një nga ish-magazinat aty pranë. Një nga banoret na thotë se mezi po pret të futet në rulotë së bashku me familjen e saj, pasi kushtet nëpër çadra janë të papërshtatshme për të jetuar.
Hapësira e kampit të rulotave, një ish kamp ushtarak, i është lënë në shfrytëzim banorëve nga bashkia e Tiranës. Përveç rulotave, përreth gjenden edhe disa ndërtesa të braktisura që së shpejti do të vihen në funksion të banorëve. Ato do të shndërohen në klasa ku fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë shkrim dhe këndim, pasi siç mësojmë nga Jetmira, duke qenë se shkolla është shumë larg, shumica e fëmijëve aty janë analfabetë. Gjithashtu do të ngrihen kurse profesionale rrobaqepësie për gratë dhe vajzat apo kurse mekanike për djemtë.
Duke dashur të forcojnë frymën e bashkëpunimit në komunitet, Jeta na tregon se banorët do të kenë mensë të përbashkët, e gjithashtu do t’ju duhet të rrisin vetë kulturat bujqësore në një serrë që do të ngrihet aty pranë.
Planet e aktivistëve nuk mbarojnë këtu, në bashkëpunim me organizatën “Muzika e të rinjve” aty do të ngrihet një qendër kulturore si edhe një “rulotë muze” me detaje nga traditat e kultura rome.
Dita e vizitës sonë në kamp, e shtunë 2 prill, ishte menduar nga grupi i vullnetarëve të përdorej për kthimin e fasadave të rulotave në “vepra arti” nga vetë banorët dhe aktivistët. Ngjyrat shkëlqenin jo vetën në muret e rulotave por edhe në sytë e fëmijëve.
“O zysh a mund të ngjyros edhe unë” iu drejtoheshin çdo të rrituri fëmijët që mezi prisnin t’i bashkohehin grupit.
Dhe mes bisedave, të qeshurash e zënkave, të 8 rulotat e vendosura, u veshën me një pamje tjetër.
Edhe pse në kamp ka ende shumë punë për të bërë, në 8 prill, Ditën Botërore të Komunitetit Rom, do të bëhet një pre-inagurim i tij. Rreth 15 familje do të strehohen dhe do të nisin punimet për mensën dhe qendrën kulturore.
*Marinela Gremi