Nga janari, vizita falas tek mjeku i familjes edhe për personat e pasiguruar
Duke nisur nga janari i vitit 2016, personat e pasiguruar do të kenë mundësi të kryejnë vizita falas tek mjeku i familjes. Në projektligjin e depozituar në Kuvend parashikohet të jenë falas shërbimi i urgjencës në rast nevoje dhe paketat shëndetësore për parandalimin e sëmundjeve.
Ky projektligj është cilësuar nga vetë qeveria si hapi rradhës drejt premtimit elektoral për shërbimin shëndetësor falas.
NDRYSHIMI I LIGJIT
Ndryshimi është bërë në pikën 1 të nenit 12 të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”, ku janë të përcaktuara përkatësisht shërbimet shëndetësore, të cilat nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor
“Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk financon shërbime të kujdesit shëndetësor ndaj personave që nuk janë të siguruar.
Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e mëposhtme: shërbimi në urgjencën mjekë sore, shërbimi apo përfitimi i paketës së kontrolleve periodike parandaluese në popullatë, si edhe vizita te mjeku i familjes”, thuhet në projektligjin e qeverisë, të depozituar në Kuvend.
Në këtë mënyrë do të jetë Fondi që do të mbulojë financiarisht shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor për personat e pasiguruar
NISMA E QEVERISE, SHENDETESI FALAS APO SHMANGJE E KORRUPSIONIT?
Qytetarët që nuk bëjnë pjesë në skemën e sigurimeve, aktualisht janë të detyruar të paguajnë 1 mijë lekë për çdo vizitë tek mjeku i përgjithshëm.
Ndërkohë në vetë relacionin për ndryshimin e ligjit, thuhet se shpesh kjo pagesë bëhet nën dorë në mënyre korruptive, ndaj lind dhe nevoja për heqjen e saj.
Aplikimi i shërbimit shëndetësor pa pagesë për qytetarët e pasiguruar do të bëhet i mundur duke nisur nga muaji janar i vitit që vjen.
/l.k./