Në Spitalin e Traumës u premtuan proteza falas, deri tani vetëm shtohet lista e pritjes
Më 24 gusht kryeministri Rama dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vizituan spitalin Universtiar të Traumës në Tiranë, për të promovuar shërbimin e ri për pacientët që kanë nevojë për paisje mjekësore të implantueshme.
Investimi prej 1 milion dollarësh i qeverisë shqiptare duhet të ofronte proteza ortopedike falas në shërbimin e ortopedisë në QSUT dhe Spitalin Rajonal të Durrësit.
“Pas shumë e shumë vitesh që protezat bliheshin nga pacientet në nevojë, deri në 3000 Euro, dhe për këtë arsye jo pak njerëz nuk e siguronin dot një protezë, është siguruar më në fund furnizimi falas për çdo pacient” tha Kryeministri Rama.
Por një investigim i kryer nga gazeta “Shëndet Plus” tregon se sot, 16 ditë më vonë, spitali vazhdon të vuajë mungesën e protezave.
“Proteza nuk ka. Thonë që është çështje dokumentacioni. Shërbimi i ortopedi -traumatologjisë është pjesë e QSUT-së. Prandaj edhe pacientët përcillen nga një derë në një derë tjetër, duke kaluar përgjegjësitë. Ka shkuar në 300 numri i pacientëve në listë pritjeje. Askush nuk i blen më protezat, sepse presin që t’ua sjellin falas, dhe kanë të drejtë se ashtu iu kanë thënë”, kanë thënë burime pranë spitalit për “Shëndet+ .
E njëjta situatë mësohet se është edhe në Spitalin e Durrësit, ku mjekët ortopedë thonë se ende nuk kanë ardhur protezat, për arsye që i dinë drejtuesit e institucionit, raporton “Shëndet +”.
/l.k./