Naftëtarët e Ballshit kanë protestuar ditën e sotme para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Protesta që ka nisur e qetë ka degraduar më pas në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Disa naftëtarë janë janë tërhqur zvarrë nga forcat e policisë. Mësohet se njëri prej tyre është shoqëruar.
“Na thanë që të takohemi me zëvendës ministrin, por ato janë takime të ezauruara nuk na japin zgjidhje takime të tilla. Personi i vetëm që mund të na japë përgjigje në lidhje me takimin e zhvilluar në Azerbaijan është vetë ministrja Balluku”, ka thënë një protestues.
Po ashtu ata shtojnë se janë mashtruar dy herë nga zv. ministri duke shtuar se do të vijojnë protestën derisa ministrja Balluku t’u përgjigjet.
“Ka më mashtrues se Ilir Betja, ditë për ditë. Në fund të qershorit tha se do të lëshohet uzina e Ballshit por vetëm na ka mashtruar. Ministrja po i shmanget përgjegjësisë, pasi në qershor ajo tha se lëshohet, por asgjë nuk ka ndodhur, atje na sjellin vetëm mashtrues. Ne jemi bërë edhe kontratat për të marrë lekët, por asgjë. Kam marrë lekë borxh për të ardhur në protestë, do vijojmë qëndrimin derisa të marrim një përgjigje”, është shprehur një tjetër protestues.
“Të na japin rrogat, që kemi punuar. Të na japin librezat, detyrimet, qelbësirat, hajdutët. Nuk vjen njeri të na sqarojë. Janë të tërë të korruptuar, o nuk bëhet më ky vend. O të hapet dera e ministrisë, o do vdesim këtu. Nuk kthehem më në Ballsh, vetëm e vdekur, se kam punuar, kam lënë gjakun atje.”
Kemi 3 vjet pa marrë rrogat, se pronari ikën në drejtim të paditur. Ç’është ky pronar, kush e sjell? Nafta është shumë cilësore. Të paktën nga shtatori deri në dhjetor na kanë dhënë një lëmsh, vetëm 230 mijë lekë. Nga janari deri tani talli Edi Rama veten, duke na dhënë një pagë lufte 400 mijë lekësh. Tani na gënjejnë, bëmë kontratat nuk erdhi njeri, tani na sjellin policët të na hedhin gaz lotsjellës.
“Çfarë i ka bërë populli Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës, se janë pasuruar me naftën, me gjakun tonë. Jemi të shkolluar të gjithë, nuk na gënjejnë dot. Ne nuk lëvizim që këtu, ta dinë mirë, i kemi marrë masat edhe për dhunë”, u shpreh protestuesja.
“Ju e çoni pagën në fund të muajit në shtëpi, e nëse ju vonohet një ditë, ankoheni, po ne me çfarë do jetojmë? Ku do shkojmë, në çfarë dere të trokasim, ku do e marrim ndihmën? Do votat ai, do mandat të tretë. Buka nuk ka ngjyra, është pa ngjyra, nuk është politikë. Ne duam bukën të ushqejmë fëmijët”, tha një protestuese tjetër.
Protestës i janë bashkuar dhe aktivistë të shoqërisë civile. Kanë nisur shoqërimet e para nga ana e policisë.
Naftëtarët deklarojnë se kanë 20 paga të pamarra dhe 11 muaj pa punë, ndërsa gjendja e tyre ekonomike është shumë e vështirë. Sipas tyre protestat dhe manifestimet që ata kanë bërë më herët nuk janë marrë parasysh dhe situata tashmë është bërë e padurueshme./ HistoriaIme