Leksionet bazike “101” për konceptin e kulturës
Nga Kristi Pinderi
Kultura është një vlerë që ndahet nga njerëzit e një komuniteti. Janë individët që së bashku i japin çdo elementi kulturor një kuptim simbolik. Këto janë karakteristikat e kulturës që çdo student i sociologjisë, apo antropologjisë a lëndëve të tjera shoqërore i di përmendësh: kultura është simbolike; është një vlerë që ndahet dhe pranohet mes individëve të të njëjtit komunitet; është relative, që do të thotë se ka atë kuptim që i japin sipas kontekstit, trashëgimisë shpirtërore, materiale dhe prejardhjes së tyre njerëzit e një komuniteti; është gjithashtu e përcaktuar brenda një territori të caktuar, apo më mirë një kufiri fizik të definueshëm.
Për këto arsye pikturat murale që shfaqen thuajse çdo ditë në fasadat e Tiranës e që janë nisma të aprovuara nga Bashkia, janë një dhunë e mirëfilltë ndaj komunitetit.
Nuk mund askush të imponojë një vlerë
kulturore apo një element/produkt kulturor të cilën pjesëtarët e një komuniteti
të caktuar (brenda një territori të definueshëm) nuk e ndajnë, nuk i kanë dhënë
një simbolikë/kuptim dhe që nuk ka asnjë funksion në jetën e tyre (sepse po,
kultura ka funksionin/funksionet e veta në shoqërinë njerëzore).
Ndaj, kultura është diçka që mësohet, gradualisht derisa të përvetësohet
(enculturation) e të bëhet pjesë e pandarë e shoqërisë apo një komuniteti të
caktuar.
Përndryshe, kur imponohet, sidomos nga pozitat e nje autoriteti që vendos pa pyetur apo pa marrë miratim nga komuniteti (Bashkia në këtë rast), nuk është më përvetësim (enculturation), por dhunë kulturore (acculturation)!
Patjetër që dhe përmes kësaj forme mund të imponohet kultura, por nuk duhet pastaj të habitemi me reagimin e njerëzve që përdhosën ato murale që nuk i ndjenin si pjesë të tyre.
