Mospagimi i qirave tek banesat sociale do të nxjerrë në rrugë 70 familje
Kushtet e Bashkisë së Tiranës për të paguar sa më shpejt qiratë e banesave sociale, ka detyruar rreth 70 familje në Shkozë të dalin nga banesat sociale. TemA TV shkruan se banorët shprehin shqetësimin se shkaku i mospagesave të qirave është pamundësia ekonomike.
Në tre komplekset e pallateve sociale ku jetojnë rreth 370 familje, 70 prej tyre klasifikohen si debitorë të këqij sepse kanë pa paguar qiratë nga 3-12 muaj, raporton TemA TV. Punonjësit e bashkisë së Tiranës paraqiten periodikisht për t’u interesuar nëse janë shlyer pagesat apo jo. Qiratë e shtëpive variojnë nga 50 mijë në 150 mijë lek të vjetra në varësi të hapësirës së ambientit dhe mundësive ekonomike.
Një nga banoret që ka qenë debitore, ka thënë për TemA TV se e kanë të vështirë të paguajnë 150 mijë lekë në muaj vetëm me një rrogë. “Të na e ulin pak qiranë. Të gjithë këtu i kanë qiratë të larta. Unë paguaj 150 mijë lek, plus 70-80 mijë lekë ujë dhe drita”, ka thënë një nga banoret në Shkozë. /m.g/
Burimi: TemA TV