Mjeku Tritan Kalo: “Fruthi qarkullon në vend prej dy vitesh, askush nuk paralajmëroi”
Mjeku infeksionist Tritan Kalo ka publikuar disa akuza të forta ndaj institucioneve në lidhje me epideminë e fruthit në Shqipëri. “Profesionalizëm që lë për të dëshiruar“ e quan ai sjelljen e autoriteteve përgjegjëse.
Kalo ka publikuar dy fotografi të pacientëve të prekur nga kjo sëmundje që në vitin 2016. Sipas tij autoritetet kanë qenë në dijeni prej thuajse dy vitesh për epideminë e fruthit, e megjithatë nuk kanë marrë asnjë masë parandaluese kanë bërë thuajse asgjë për të ndërgjegjësuar.
Kalo i quan masat e marra “improvizime të shumë-zhurmshme të minutës së fundit” të cilat nuk sjellin asnjë zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Në fund mjeku bën një paralajmërim: “Nëse në strukturat tona do të kemi të njëjtët individë, të cilët flasin atë që veshët e drejtuesve tanë të çdo Qeverie duan të dëgjojnë, të mos habitemi aspak se epidemi të Fruthit dhe jo vetëm të tij do të kemi edhe në të ardhmen…”
Në foto: Dy të rinj të infektuar në Londër dhe Berlin – Sipas Mjekut Kalo një prej tyre është i konfirmuar serologjikisht si në Spitalin Amerikan edhe në ISHP
/l.k./
Reagimi i plotë i mjekut Tritan Kalo:
Profesionalizëm që len për të dëshiruar….FRUTHI ka kohë që ka trokitur në dyert tona…Dy fotot e mëposhtme i takojnë vitit 2016 dhe janë dy të rinj shqiptar me Fruth të infektuar në Londër dhe në Berlin…Njëri prej tyre i konfirmuar serologjikisht si në Spitalin Amerikan edhe në ISHP…Në hapësirën kohore mes këtyre dy fotove dhe “zhurmës së tanishme” për Fruthin kanë kaluar rreth dy vjet…
Ndërkohë në Evropë dhe në vendet rreth nesh janë diagnostikuar me qindra dhe me mijëra raste me Fruth, por AUTORITETET përgjegjëse NUK ndërmorën asnjë masë të rëndësishme dhe gjurmëlënëse si informuese po ashtu parandaluese, për këtë sëmundje jo të neglizhueshme edhe pse “Hanibale ante portam”, POR u mjaftuan me ndonjë dalje televizive dhe aq….Askush deri më sot nuk mundet të na japë shifra reale për situatën e imunizimit të popullatës sonë jo vetëm për Fruthin, sepse studime të tilla ose nuk bëhen ose edhe nëse behën (???), rezultatet e tyre NUK u bëhen të ditura profesionistëve kliniçistë, që merren me sëmundje të tilla për të shprehur mendimet e tyre dhe për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve…
IMPROVIZIMET e shumë-zhurmshme të minutës së fundit, sjellin vetëm e vetëm zgjidhje afatshkurtra dhe jo të qëndrueshme, për dukuri të tilla me impakt shumë të rëndësishëm në Shëndetin e Popullatës… NËSE në strukturat tona do të kemi të njëjtët individë, të cilët flasin atë që veshët e drejtuesve tanë të çdo Qeverie duan të dëgjojnë, TË MOS HABITEMI aspak se epidemi të Fruthit dhe jo vetëm të tij do të kemi edhe në të ardhmen…BUROKRTATËT e mirë paguar të OBSH/ËHO e shpallën me bujë vitin 2015 si vitin e zhdukjes së Fruthit në 5 (pesë) rajone të botës, dhe vitin 2030 si vit të çrrënjosjes së tij në të gjithë rruzullin tokësor, POR sëmundjet infektive kanë ligjësitë e tyre dhe NUK i binden dëshirave utopike burokratike… EDHE Presidenti i SHBA-së nuk mundet të ketë më shumë se dy mandate 4 vjeçare, ndërsa te ne i kemi të “fosilizuar” në strukturat drejtuese të Shëndetësisë Publike, të njëjtët individë prej dhjetëra e dhjetëra vitesh…
Një praktikë e tillë pune sjell vetëm e vetëm atrofizim, ngurtësim idesh dhe praktikash zhvillimore në këtë sektor jetik për vendin tonë… Kam eksperiencën time të përditshme të hidhur profesionale me individë të tillë, POR edhe eksperiencën në dy epidemitë e mëdha të Kolerës më 1994 dhe të Poliomielitit në 1996 e të tjera pas tyre, ndaj edhe e ngre jo më kot këtë shqetësim …Quo vadis Shqipëria ime!!!