Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka protestuar ditën e dielë në Tiranë para Ministrisë së Financave.
Pas një marshimi drejt Ministrisë së Financave, ku minatorët kërkuan sqarimin e kushteve të kontratës kolektive, SMBB të mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nga qytetarë të shumtë, kanë marshuar më pas drejt kryeministrisë, me thirrjen“Rrofshin minatorët, poshtë diktatorët”.
Gjatë fjalës së tij Elton Bebreshi, kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, i larguar nga puna nga kompania AlbChrome, ka shpalosur edhe kërkesat e minatorëve.
Ai ka thënë ndër të tjera: “Ne Minatorët e Bulqizës kemi ardhur në Tiranë për të kërkuar drejtësi dhe dinjitet. Prej muajsh ne shtypemi nga kompania AlbChrome, për shkak se ajo bën presion për aktivitetin tonë sindikalist.
Ne kërkojmë:
- Rritje të pagave
- Rishikimin e normave të punës, pasi vit pas viti normat janë rritur,
- Ne kërkojmë njohjen e vështirësive dhe vjetërsisë në punë.
- Ne kërkojmë demshpërblim për të gjithë aksidentet në punë
- Ne kërkojmë që kompania AlbChrome, të ndal menjëherë presionet mbi minatorët,
- Ne kërkojmë rikthimin e menjëhershëm në punë të 4 sindikalistëve që janë shkarkuar padrejtësisht nga puna, Elton Debreshi, Beqir Durçi, Behar Gjimi dhe Ali Gjeta”.
Minatorët dhe aktivistët janë përplasur disa herë verbalisht me Policinë e Shtetit, e cila deklaronte se protesta e tyre është e paligjshme, ndërsa minatorët kanë deklaruar se kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për të mbajtur këtë protest.
Kujtojmë, se prej muajsh Minatorët e Bulqizës, kanë krijuar sindikatën e re të tyre, ndërsa menjëherë pas krijimit të kësaj sindikate 4 prej tyre janë shkarkuar nga puna.
Ndërkohë që gjatë zhvillimit të saj, protesta është lënë në heshtje nga mediat e mëdha dhe televizionet kombëtare, duke legjitimuar dhe më tej thirrjet e minatorëve për respektim dhe njohje të të drejtave të tyre dhe duke ngritur shqetësimin për orientimin e mediave drejt përfitimit ekonomik, në kundërshtim me të drejtën për informim të qytetarëve.