Ditën e sotme minatorët janë organizuar në protestë përpara Parlamentit për të kërkuar miratimin e statusit të tyre dhe trajtimin e veçantë ekonomik, për shkak të kushteve të vështira të punës.
Në protestën e cila është e përsëritur, ata kanë bërë thirrje ndaj deputetëve dhe ministrive përkatëse për miratimin e statusit të minatorit, një premtim i kahershëm i disa legjislaturave.
Një pjesë e protestuesve sot janë në pension dhe ende nuk kanë marr asnjë nga përfitimet e premtuara nga qeveria. Mes tyre bëhen thirrje dhe për vetëgjyqësi e vetëflijim, për aq kohë sa janë braktisur nga qeveria dhe institucionet.
“Nuk shton kuotat tona. Na le shumë poshtë. Unë kam 16 vite punë, po ta shumëzosh me 1%, mund të ngrihet 22 mijë lekë të vjetra. Ku do shkoj me këto. Unë barazohem me kooperativistin. Me këtë ligj përfitojnë zyrtarët që janë shpikësit e pensioneve falsë. Ne që kemi punuar ngelemi jashtë skeme. Ato kanë marrë konsulencë me sindikata sllave. Unë jam i mendimit do djeg veten, jam i diskriminuar. Kur më jepet kjo e drejtë nga Kushtetuta këta ma mohojnë. I pari Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj e me radhë. Në 2009 bëmë marrë veshje me Ramën dhe tha brenda 6 muajve në pushtet do t’u jap statusin. U bënë 6 vjet dhe status s’ka”, deklaroi një prej minatorëve për mediat.
Së bashku me minatorët, protesta të përsëritura zhvillohen dhe nga naftëtarët, për të cilët pavarësisht ligjit përfitimet ende nuk janë të dukshme./k.j