Kjo video e publikuar në media tregon një mësuese të gjimnazit “Aleksandër Moisiu në Kavajë duke u bërë apel nxënësve të saj t’i bashkohen aktivitetit të kryeministrit Edi Rama.
“Nesër në orën 16:30, zhvillohet një aktivitet i kryeministrit Edi Rama me të rinjtë, e gjithë shkolla do të përfaqësohet nga këshilli i nxënësve, me mësuesit e vet dhe nxënësit e çdo klase, nesër në takimin që organizohet”, u thotë ajo nxënësve.
Video:
Menjëherë pas publikimit të videos ka reaguar ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, duke e shkarkuar mësuesen.
“Keqardhje për mësuesen që ka shkelur urdhrin tim të prerë për të mos bërë propagandë politike në klasë! Në zbatim të urdhrit, mësuesja do të largohet menjëherë, që sot, nga sistemi arsimor.
Mësuesit dhe nxënësit janë të lirë të aktivizohen politikisht, por jashtë mureve të shkollës. Kam parë mësues dhe nxënës që marrin pjesë edhe në takimet televizive të Çadrës, po asnjë gjemb në këmbë nuk u ka hyrë dhe nuk do t’u hyjë për arsye politike. Por, asnjë nxënës apo mësues/e që nuk dëshiron të marrë pjesë në takime politike, as nuk mund të urdhërohet ta bëjë këtë, as nuk do të cënohet kurrë pse nuk aktivizohet politikisht për këdo qoftë!” theksoi Nikolla.
/l.k./