Mbyllet uzina në Ballsh/ Naftëtarët të papunë dalin në protestë

Mëngjesin e sotëm qyteti i Fierit është gdhirë me protestat e naftëtarëve të uzinës së Ballshit. Arsyeja që i ka bërë bashkë naftëtarët në protestë është pushimi nga puna, kjo pasi uzina ka ndalur së punuari.
Sipas një njoftimi në Facebook të Organizatës Politike, kompania Bankers ka ndaluar së furnizuari me naftë bruto kompaninë administruese për rafinerinë. Kjo ka sjellë si pasojë 1.000 punëtorë naftëtarë të papunë. Shfrytëzimi i punëtorëve, keqpagimi dhe tanimë nxjerra e tyre jashtë pune pa kurrfarë procesi transparent ka nxitur protestat mëngjesin e sotëm pranë Prefekturës së Qarkut të Fierit.
Aktivistët e Organizatës Politike, të cilët u solidarizuan me protestat e naftëtarëve, listojnë kërkesat e parashtruara në protestë:
– rifillimin e punës;
– furnizimin me naftë të rafinerisë;
– anulimin e kontratës monopol për furnizimin me naftë;
– miratimin e Statusit të Naftëtarëve;
– lehtësimin e procesit të punësimit të studentëve të Gjeologjisë dhe Minierave në sektorin e naftës, etj.
Nuk është hera e parë që naftëtarët i kanë bërë thirrje autoriteteve për një investitor serioz në rafineri. Në dhjetor të vitit të kaluar ata protestuan për shkak të vonesës në paga dhe kushteve të papërshtatshme në të cilat detyrohen të punojnë./k.m/
Burimi: Organizata Politike