Në kuadër të projektit “I Choose EU”, ditën e sotme u zhvillua eventi përmbyllës, ku u prezantuan disa nga gjetjet më kryesore nga organizata PRO LGBT dhe Qendra “Streha”, me fokus qendror në promovimin e të drejtave të njeriut dhe procesin integrues në BE.
Qëllimi i këtij projekti ka të bëjë me mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave të të drejtave të njeriut, përmes rritjes së njohurive mbi impaktin që procesi i integrimit evropian pritet të ketë në shoqërinë shqiptare. Projekti gjithashtu erdhi në ndihmë të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për fuqizimin, zgjerimin dhe diversifikimin e angazhimit të qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian, me fokus të veçantë në çështjet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Sidita Zaja, drejtuese e organizatës PRO LGBT përmendi ecurinë e këtij projekti, aktivitetet dhe fuqizimin e platformës mediatike online Historia Ime me shkrime e studime në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, si dhe ndjekjen e hapave të procesit të integrimit.
Elvis Popaj, drejtues i Qendrës “Streha” përmendi punën e kryer sa i përket shërbimeve që ofrohen dhe ecurinë e takimeve në rrethe, duke evidentuar situatën me respektimin e ulët të të drejtave të njeriut, po aq sa edhe vuri në pah diskriminimin e komunitetit LGBTI dhe vështirësi të tjera me të cilat hasen në përditshmëri grupet e margjinalizuara.
Elda Zotaj, kërkuese dhe kontribuese në studimin e thelluar “Perceptimi mbi aplikimin e ligjeve aktuale në mbrojtjen e të drejtave të njeriut,” shpjegoi në mënyrë të detajtuar disa nga sfidat dhe ecurinë e të drejtave të njeriut në Shqipëri lidhur me procesin integrues të vendit tonë në Europë. Po ashtu, ajo u ndal gjerësisht edhe në zbatueshmërinë dhe efikasitetin institucional të implementimit të politikave që lehtësojnë ndërveprimin individ-qeverisje. Ndër të tjera, u theksua situata e rënduar e të rinjve që kanë dëshirë të largohen sa më parë nga Shqipëria në një shifër që e kalon 81%-shin, ndërsa një shifër jo më e lartë se 2% e të anketuarve, u shprehen se ende nuk e kanë vendosur.
Në këtë aktivitet pati pjesëmarrës nga institucionet vendore dhe shoqëria civile, po ashtu edhe të rinj nga rrethet, një pjesë e të cilëve ishin angazhuar në konkurset e shpallura nga Historia Ime në kuadër të projektit “I choose EU”, në kategorinë e esesë dhe podcastit, ku fituesve iu shpërdanë edhe çmimet përkatëse.

Projekti u realizua nga PRO LGBT dhe Qendra Streha, në kuadër të iniciativës ‘’Mbështetja e shoqërisë civile për zbatimin e aktiviteteve të ngritjes së kapaciteteve për të rritur mbështetjen e shoqërisë civile në zhvillimin e politikave të dialogut dhe rritjen e ndërgjegjësimit në proceset e integrimit Evropian’’, i financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë dhe i zbatuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë CFCU Albania.