“Mbro Parkun”, protesta e Shoqërisë Civile kundër parkimit nëntokësor në Parkun “Rinia”
Vendimi i Bashkisë së Tiranës për të shndërruar në parkime nëntokësore 11 prej lulishteve të Tiranës, ka hasur në reagimin e Shoqërisë Civile. Një prej parqeve që pritet të kthehet në parkim nëntokësor, është parku “emblemë” i kryeqytetit, Parku “Rinia”.
Dhjetra qytetarë, ambjentalistë dhe aktivistë të Shoqërisë Civile protestuan sot tek Parku Rinia ku shprehën qendrimet e tyre kundër asaj që e quajtën betonizim i parkut dhe privatizim i një tjetër hapësire publike të qytetit.
Analisti Fatos Lubonja tha se vendimi i miratuar në 30 dhjetor të 2015 nga Këshilli Bashkiak, në fshehtësi dhe larg vëmendjes, mund të përmblidhet në tre fjalë: “Këtu kemi të bëjmë me injorancë, arrogancë dhe korrupsion.”
Bashkia e Tiranës ka deklaruar se pas përfundimit të punimeve, Parkut “Rinia” do t’i rikthehet gjelbërimi i dikurshëm, por Lubonja e cilësoi këtë deklaratë si mashtrim ndaj qytetarëve: “Ky është një mashtrim që i bëhet qytetarëve duke u thënë: Sa mirë do keni makina poshtë dhe gjelbërimin lart, por nuk është kështu. E para duhej të ishte paraqitur projekti, sepse nuk e kanë paraqitur atë. Projekti në këto raste, bëhet me hapjen e një grope të madhe çimentosh dhe më pas do të hidhet një tapet bari, e cila do të zëvendësojë këtë tokë të shëndetshme”.
I pranishëm në protestën e nismës “Mbro Qytetin”, ishte dhe juristi Artan Manushaqja, i cili tha se “që prej vitit 2000 Parku “Rinia” ka marrë statusin si park i pacënueshëm përjetësisht. Ndërsa në 2007-ën ministria e Kulturës ka nxjerrë vendimin për mbrojtjen e Parkut”. Duke shtuar se vendimi për kthimin në parking nëntokësor është në kundravajtje me vendimet e marra.
“I themi bashkisë të tërhiqet nga ky vendim e të mos e kthejë Parkun “Rinia” në një gropë të madhe për ta lënë përjetësisht ashtu, pasi çeshtja ka për të ngelur në gjykatë, siç kanë ngelur ndertimet tek diga e liqenit”, tha juristi Artan Manushaqja.
Të pranishëm në protest ishin dhe ambjentalistët Lavdosh Feruni dhe Sazan Guri të cilët shprehën shqetësimin e tyre për ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Ervin Goci, pedagog në Universitetin e Tiranës listoi 10 hapësira të tjera që sipas tij janë vënë në listë për t’u bunkerizuar me parkingje, duke shtuar: “Nëse Tirana përmbytet rreth 10 herë në vit tani që ka kaq toka organike që ndihmojnë në thithjen e ujit, çfarë do të ndodhë me qytetin kur 11 parqe t’I kthehen në beton?”.
11 hapësirat ku pritet të ndërtohen parkingje nëntokësore janë:
– Stacioni i Trenit
– Blloku i banimit pas ish-kafe “Florës”
– Lulishtja pas “Pallatit të Kulturës”
– Sheshi ”Avni Rustemi”
– Parku ”Rinia”
– Sheshi “Tre vëlezërit Frashëri
– Lulishtja pas Kryeministrisë
– Lulishtja tek monument i diktaturës
– Hapësira në lindje të stadiumit “Qemal Stafa”
– Sheshi “Italia”
/l.k./ /m.g./