Materniteti: Të harruar nga Ministria, mjekët dhurojnë para për blerjen e ekografisë
Mjekët e maternitetit Koço Gliozheni i bëjnë thirrje njëri-tjetrit të dhurojnë para për blerjen e një aparature ekografie në spitalin ku punojnë.
Edhe pse ky maternitet pret rreth 5 mijë lindje në vit, ka vetëm 2 ekografi funksionale, edhe këto të një cilësie që lë për të dëshiruar. Këto pajisje janë sjellë në maternitet që në kohën e përurimit të tij e që prej atëherë nuk është investuar më në infrastrukturë.
Nismëtari për blerjen e ekografisë, doktor Orion Gliozheni ka thënë për gazetën “Shëndet +” se kjo është një nismë vullnetare.
“Detyrim nuk ka, sepse është një nismë me baza vullnetare. Na ka shkuar goja mbrapa prej vitesh për të marrë një aparaturë ekografie. Ky spital nuk ka asnjë investim që prej momentit që është ndërtuar. Janë po ato aparatura që sollën kur u ndërtua dhe që tani janë totalisht jashtë çdo parametri bashkëkohor. Një aparat ekografie në këtë spital është i domosdoshëm.”
“Kemi bërë kërkesa disa herë. Dhe përgjigjja ka qenë: Nuk kemi para. Deri në zgjedhje nuk ka para. Në këto kushte, me dashamirësinë më të madhe për t’i shërbyer spitalit, biseduam me një fondacion të njerëzve të biznesit që do të kontribuojnë për blerjen e kësaj ekografie. Kjo është një formë për t’i sensibilizuar pak më shumë këta njerëz që janë jashtë profilit. Unë u bëra një thirrje kolegëve të mi për donacion”, ka thënë Orion Gliozheni.
Kjo nismë është mbështetur edhe nga fondacioni EDS, nëpërmjet krijimit të eventit “Për më shumë beba të shëndetshëm”, që kërkon të ndërgjegjësojë dhe të mbledhë fonde për blerjen e kësaj aparature.
/l.k./